Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se në Kosovë ende nuk ka asnjë rast me koronavirus.
Përmes një komunikate për media IKSHPK-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta me koronavirus COVID-19.
“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv. Sot pasdite kanë ardhur edhe katër mostra, një nga klinika pediatrike dhe tri nga Klinika Infektive të cilat në Laboratorët e IKSHPK kanë hy menjëherë në punë dhe do të ju informojmë me kohë posa të përfundojë puna në laborator’, thuhet në komunikatë.