Virusi famëkeq COVID19 ka arritur në vendet e rajonit, por ende nuk është konfirmuar asnjë rast në Kosovë edhe pas shumë dyshimeve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës po kryejnë kontrolla dhe testime të vazhdueshme të qytetarëve të dyshuar me koronavirus, shkruan lajmi.net.
Mirëpo, edhe pse koronavirusi nuk ka arritur ende në Kosovë, qytetarët janë alarmuar dhe është shkaktuar shumë panikë.
Në barnatoret e qytetit të Prishtinës, ka mungesë totale të maskave mbrojtëse dhe dezinfektuesve.
Lajmi.net ka vizituar disa nga barnatoret e kryeqytetit ku kanë treguar se kanë mungesa të maskave dhe dezinfektuesve edhe nëpër depo, por gjithashtu as nuk mund të importohen sepse ka mungesë të tyre edhe në vendet prej nga kanë ardhur.
Sipas tyre, produktet më të shitura janë maskat, faculetat e lagura, dezinfektuesit e ndryshëm dhe alkooli medicinal, dhe anti-septikët.
Farmacisti A.S për lajmi.net ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka shitur të gjitha maskat dhe dezinfektuesit ndërsa gjatë ditës së sotme ka pasur interesim të jashtëzakonshëm për t’i blerë ato.
“Kam pasur mbi 200 maska dhe 100 dezinfektues, të gjitha janë shitur dje, pardje i kam marrë, dje janë shitur. Sot nuk kam më dhe nuk ka as në depo. Qytetarët janë të shqetësuar dhe të alarmuar.”, tha ai për lajmi.net.
Në një barnatore tjetër të kryeqytetit në lagjën “Vellusha”, është shënuar rekord i shitjeve, ku sipas farmacistes B.R janë shitur mbi 300 dezinfektues, po aq sa kishte rezerva kjo barnatore.
“Situata është e tillë. Janë në panikë qytetarët. Dje rekord janë shitur 300 dezinfektues. Pa maska kemi mbetur tash e një javë dhe barnatoret të cilat kanë ende i kanë rritur çmimet për 3-4 fish”, thotë ajo për lajmi.net.
Në një barnatore tjetër në rrugën Agim Ramadani, për lajmi.net kanë thënë se tash e dy ditë janë në mungesë të këtyre produkteve medicinale.
“Nuk kemi tash e dy ditë as maska, as dezinfektues, por është rritur edhe çmimi me të cilin i marrim ne, situata është alarmuar dhe qytetarët po vijnë të frikësuar. Po dëshpërohen kur nuk i gjejnë këto produkte”, tha farmacisti.
Situata në botë nga Koronavirusi ka marrë masa serioze. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi famëkeq shumë shpejt mund të shndërrohet në pandemi.
Aktualisht. numri i të prekurve nga Koronavirusi është 118,002 dhe kanë ndodhur 4,264 vdekje derisa 65,103 persona janë rikuperuar nga virusi.