142 gjoba janë shqiptuar për katër muajt e fundit, nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt në Kosovë, për ndotësit e mjedisit.
Në Komunat e Anamoravës ka pak gjoba për ndotësit e mjedisit, gjithsejt 11 gjoba.
Në Komunat e Gjilanit, Kamenicës janë shqiptuar nga tre gjoba, pasuar nga komuna e Vitisë me gjithsej nga 5 gjoba, raporton Plus Tv.
“Let’s Do It” thotë se ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror për shqiptimin e gjobave për ndotësit.
“Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se gjatë këtyre katër muajve janë shqiptuar gjithsej 142 gjoba mandatore sipas këtij Udhëzimi dhe rregulloreve komunale. Sipas monitorimit të bërë për muajt nëntor, dhjetor, janar, dhe shkurt rezulton se Peja i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 27, pasuar nga Prishtina me 17 gjoba të shqiptuara, derisa nga 13 gjoba kanë shqiptuar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komuna e Skenderajit, ndërsa komuna e Istogut dhe Ferizajt kanë shqiptuar nga 12 gjoba”, thuhet në njoftim.
Me 10 gjoba të shqiptuara, lista vazhdon me Komunën e Vushtrrisë, pasuar nga komuna e Vitisë dhe e Suharekës me gjithsej nga 5 gjoba. Ndërsa gjatë këtyre muajve në Komunën e Lipjanit, Malishevës dhe Shtimes janë shqiptuar nga katër gjoba, në Komunat e Gjilanit, Hani Elezit, Kamenicës, dhe Rahovecit janë shqiptuar nga tre gjoba, në Komunën e Obiliqit dy gjoba, derisa nga një gjobë kanë shqiptuar Komuna e Mitrovicës dhe komuna e Deçanit.
Në muajt nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt asnjë gjobë nuk është shqiptuar në komunat, si: Prizreni, Podujeva, Kaçaniku, Gjakova, Juniku dhe Drenasi.
Nga të dhënat e monitorimit rezulton se llojet më të shpeshta të gjobave të shqiptuara gjatë muajve: nëntor, dhjetor, janar, dhe shkurt ishin ai i ndotjes së mjedisit përreth hapësirave të objekteve publike, dëmtimi i hapësirave të gjelbëruara, dhe hudhja e mbeturinave nga vetura.
Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore është në fuqi që nga viti 2009 dhe në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, 15 shtator – 15 dhjetor 2018 ka ndodhur plotësim-ndryshimi `tij. Ky udhëzim ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.
“Let’s Do It” ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.