Në Kosovë janë shënuar dy rastet e para të koronavirusit, ndërsa mjekët po bëjnë apel që qytetarët të cilët dyshojnë se janë infektuar mos të drejtohen në QKUK.
Kështu ka rekomanduar edhe pulmologu Besim Morina i cili shprehet i shqetësuar se hallka e parë e shpërndarjes së virusit mund të jenë pikërisht sallat dhe pritoret e klinikave.
Ai thotë se nevojitet urgjentisht të ndryshohet plani i trajtimit të pacientëve të infektuar pasi nëpër klinika ka dhjetra pacientë e mjekë të painfektuar.
Morina iu ka rekomanduar personave ta evitojnë emergjencën, pasi infeksioni nuk ndodh duke qëndruar në shtëpi.
Ky është reagimi i tij:
Hallka kryesore të shpërndarjes së infeksionit frigohem që kanë me qenë pikërisht sallat dhe pritoret e klinikave sidomos asaj emergjente dhe infektive. Duhet urgjentisht të krijohet një plan në mënyrë që pacientët e infektuar të mos paraqiten aty ku momentalisht ka dhjetëra pacientë tjerë të painfektuar dhe punëtorë shendetësorë pa pikën e masave mbrojtëse. Duhet ndoshta të merren praktikat e shteteve tjera të krijimit të hapësirave provizore jashtë këtyre objekteve ku do të mund të bëhej marrja e mostrave dhe triazhimi i rasteve të dyshuara. Të gjithë personave iu kisha rekomanduar t’a evitojnë emergjencën me çdo kusht vetëm në rastet më vitale, pasi infeksioni nuk ndodh duke qëndruar në shtëpi, por duke e pritur ekzaminimin ne një sallë apo korridor bashkë me një person të infektuar.
#rriNshpi #covid_19 #coronavirus.