Gjendje në fshatin Stubëll raportohet se është e qetë dhe nuk ka raste të reja me virusin Covid-19. Famullitari i Kishës Katolike në Stubëll, Don Jeton Thaçi, ka raportuar se në Stubëll jeta vazhdon qetë dhe pa panik.
Ai, ju ka bërë thirrje medieve që ta ndalin garën për informacion, sepse kjo garë po nxjerrë në opinion lajme të pasakta të cilat po e shqetësojnë opinionin publik. Thaçi ju ka bërë thirrje medieve që ti referohen institucioneve relevante dhe mos të dezinformojnë për gjendjen në këtë fshat.
Ndërkohë Robert Martini, i cili është djali i 77 vjeçarit të kthyer nga Italia, që ishte i pari që rezultoi me koronavirus, ka folur ekskluzivisht për Plus Televizion. Ai gjendet aktualisht në Klinikën Infektive, së bashku me gruan e tij, duke u trajtuar nga ky infeksion.
“Gjendjen shëndetësore e kemi shumë të mirë, shqetësimi im i vetëm është familja, anëtarët e së cilës po dojnë me i sjellë këtu në spital. Jam shumë i revoltum me raportimet e mediave të cilat e kanë bo llug situatën. Na jemi shumë mirë dhe po dojmë me dal me shku në shtepi.”, ka thënë Martini për Plus TV.
Fshati Subëll i Vitisë aktualisht është i izoluar dhe janë të ndaluara hyrjet-daljet, përveç furnizimeve të domosdoshme të banorëve me ushqime, barna etj, të cilat i bëjnë personat e autorizuar.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti u ka bërë thirrje organeve të rendit që të rishqyrtojnë vendosjen e masave ndaj qarkullimit në Komunën e Vitisë, pasi punkti i vendosur në Kllokot nuk përkon me kufijtë administrativ të Komunës së Vitisë. Komuna e Kllokotit gjendet në brendësi të Komunës së Vitisë, dhe kjo po shkakton telashe të mëdha për banorët e fshatrave Radivojc, Budrikë, Remnik etj, të cilëve nuk u lejohet hyrja në qytetin e Vitisë, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për futjen e Komunës së Vitisë në karantinë./PlusTV/