Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, e ka quajtur të papranueshëm shkarkimin e Agim Veliut si Ministër i Brendhshëm, nga kryeministri Albin Kurti, duke paralajmëruar edhe prishje të koalicionit nëse nuk anulohet vendimi.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se nuk është konsultuar nga Kryeministri Kurti për këtë vendim.
“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike”, ka thënë Mustafa.
Ai tutje ka shtuar se koalicioni mund të prishet, nëse nuk anulohet ky vendim, siç e ka quajtur ai, i njëanshëm, shkruan Gazeta Metro.
“Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka thënë Mustafa.
Kujtojmë se pak më parë Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar se Agim Veliu është shkarkuar nga detyra si Ministër i Brendshëm.
Kjo siç duket vjen pasi sipas Kryeministrit, ai ka dalur kundër qëndrimeve të Qeverisë lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe ka përhapur panik./gazetametro.net