Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, menjëherë pas lajmit për shkarkimin e Agim Veliut, ka paralajmëruar tërheqjen e kësaj partie nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Pas reagimit të kryetarit Isa Mustafa dhe konsultimeve me të, një gjë e di që pa Agimin, s’ka me pasë qeveri me LDK’në”, ka deklaruar Haziri për portalin Mediafokus.info.
Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti e shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, me pretekstin se mbrëmë, në një intervistë televizive, ka shkaktuar frikë tek qytetarët sa i përket shtimit të numrit të të prekurve me coronavirus.
Veliu kishte dalë hapur kundër kryeministrit Kurti, i cili nuk e pranoi propozimin e presidentit Thaçi që Kuvendi ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, erdhi edhe kundërpërgjigja e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili vlerësoi se vendimi për shkarkim është i njëanshëm dhe nuk ka pasur konsultim paraprak.
Mustafa i ka dhënë ultimatum Kurtit një javë që ta tërheqë vendimin dhe ta heqë taksën./Mediafokus.info/