Nënkryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tashmë ish-ministri Agim Veliu, ka deklaruar se shefi i qeverisë, Albin Kurti është një gënjeshtarë dhe person që merret me teori konspirative.
Në një deklaratë për Telegrafin, Veliu theksoi se është e dhimbshme që qytetarët e Kosovës ta kenë një kryeministër të tillë.
“Nuk e di a ka vend aty për ndonjë koment. Njeri në asi situata me pa kryeministrin e vendit është e dhimbshme, nuk e di çka presin qytetarët prej një kryeministri të tillë i cili merret me konspiracion dhe gënjen çdo fjalë që e flet, dhe çdo veprim që e bën e bën tinëzisht dhe me mashtrime.
Është e dhimbshme për qytetarët e Kosovës ta kenë një kryeministër të tillë”, deklaroi Veliu.
I pyetur rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ish-ministri Agim Veliu bëri të ditur se do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve.
“Sot duhet me fillu mbledhja e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit”,ka thënë Veliu.
Kujtojmë dje kryeministri Albin Kurti, e shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, si pasojë e një deklarate të dhënë në media ku kishte thënë se po rritet numri i të prekurve me coronavirus në vend nga ora në orë dhe se është pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. /Telegrafi/