Apelojmë tek të gjithë qytetarët e Anamoravës që t’i përmbahen masave të cilat dalin nga Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve të vendit nga pandemia, tani i njohur si virusi COVID 19, virus ky ngjitës, me pasoja për shëndetin.
Luten qytetarët që të qëndrojnë larg tubimeve, pasi kjo do të kishte pasoja jo vetëm tek ata që janë pjesë e këtyre grumbullimeve, por edhe për familjen dhe rrethin më të gjerë.
Gjithashtu, kërkojmë që të mbahen mbyllur dhe jashtë çdo mundësie frekuentimi në lokalet e ndryshme hoteliere, restorante, bare apo lokale tjera, të cilat do të rrezikonin përhapjen e këtij virusi ngjitës, me pasoja fatale.
Ju njoftojmë se do të merren masa të ashpra ligjore deri tek arrestimi i gjithë pronarëve të cilët shkelin masat mbrojtëse, të parapara me Vendimin e Qeverisë, që do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve, e cila është e paraparë edhe me dispozita ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, lusim të gjithë qytetarët e kthyer nga vende të ndryshme jashtë Kosovës, të cilët janë të sistemuar sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë, në të ashtuquajturën ‘’karantinë 14 ditore’’, t’i nënshtrohen këtij rekomandimi, konform masave të vendosura me vendimin e Qeverisë, me qëllim të parandalimit të virusit.
Ju sigurojmë se institucionet e drejtësisë, së bashku me institucionet e sigurisë janë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të çdo mase dhe rekomandimi në këtë gjendje të rënduar në kohë pandemie, jo vetëm për rendin dhe sigurinë e Kosovës, por për mbarë rruzullin tokësor.
Ne do të jemi afër çdo qytetari të vendit tonë, duke besuar shumë se me mbështetjen dhe përkrahjen e tyre, pa panikë por me kujdes të shkruar, do e kalojmë pa asnjë mëdyshje edhe këtë sfidë për ne dhe gjithë njerëzimin.