Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kanë porositur respirator të rinj dhe brenda pak ditësh do të sjellin edhe në Kosovë një bari që po ka efekt në shërimin e sëmundjes.
Ai ka kërkuar të zbatohen të gjitha masat e Qeverisë dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
“Koronavirusi është realitet dhe po mbjell vdekje në gjithë globin. Dy javët e ardhshme janë vendimtare për luftën ndaj koronavirusit. Do ta kalojmë këtë situatë serioze me së më pak pasoja. Jemi dëshmitarë se vendet që kanë neglizhuar situata ju ka dalë jashtë kontrollit. Është momenti i fundit të bëhemi bashkë në këtë situatë. S’ka as ilaç për shërim, as vaksin për parandalim, arma e vetme është kujdesi, solidariteti dhe qëndrimi në shtëpi”, ka thënë ai.
“Rrini në shtëpi, mbajeni higjienën personale e familjare. Mbanë distancën sociale”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga komunat të bëjnë dezinsketimin e rrugëve dhe hapësirave publike.
Shefi i MSH’së ka kërkuar mirëkuptim edhe për personat që janë në karantinë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.
Deri tash në Kosovë janë prekur 24 persona me koronavirus. Së pari është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.
Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.
Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.
“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social./GazetaExpress/