Komuna e Gjilanit ka pranuar mbështetje nga kompanitë, Dea, Miros, furra e bukës Vëllezërit Çoçaj, sikurse edhe nga aktivisti Ismajl Esati, me qëllim të mbrojtjes së punëtorëve në shëndetësinë primare, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe në Spitalin Regjional.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka thënë se mbështetja e vazhdueshme e cila po vjen nga sektori privat është duke e bërë edhe më të lehtë angazhimin e stafit profesional, I cili ballafaqohet në mënyrë permanente dhe në radhën e parë me qytetarët të cilët mund të jenë të prekur nga pandemia Covid-19.
Ai ka falënderuar duke bërë të ditur se komuniteti i biznesit dhe vullnetarët e shumtë janë duke ofruar ndihmën e tyre në mënyra të ndryshme për ta bërballuar këtë gjendje në të cilën është vendi ynë gjatë këtij muaji.
“Sot kemi pranuar donacionin në një sasi të konsiderueshme prej 480 maska, 900 kapela dhe 250 kalaqe. Kjo sasi menjëherë është shpërndarë te punëtorët e shëndetësisë primare, në Spitalin e Përgjithshëm, QRSHP, dhe te punëtorët në institucionet komunale që janë në sportele duke dhënë shërbime për qytetarët”, ka thënë ndër të tjerash Ismajli.
Edhe në këtë rast janë lutur qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës që maksimalisht të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre duke shmangur daljet e panevojshme, sepse mundësia e shpërndarjes së virusit është shumë më e madhe dhe pasojat do të jenë edhe më të mëdha.
Për ndryshe, kontaktet për të gjithë ata që kanë shqetësime dhe dyshojnë në qrregullime shëndetësore luten që të kontaktojnë numrat 112, 192, 193 apo 194, të cilët janë kontakte që japin shërbime 24 orë.