Komuna e Gjilanit sot në mëngjes ka pranuar një donacion nga “Elkos Group”, dhe “Devolli Corporation”, të cilët iu kanë bashkangjitur bizneseve tona, që përherë janë dëshmuar që në momentet më të vështira të qytetarëve tanë, t’u dalin në krahë.
Nnënkryetari Arbër Ismajli, i cili ka takuar përfaqësuesit e këtyre kompanive, ka thënë se këto kompani, ofruan sasi të madhe të pakove ushqimore, për rastet sociale dhe ato në nevojë.
“Duke i falënderuar në emër të institucioneve komunale dhe kryetarit Haziri, i garantojmë se me këtë humanizëm të madh që po tregojnë bizneset që veprojnë në Komunën e Gjilanit dhe përkushtimi i tyre, po jepet shpresë dhe dritë për qytetarët tanë, në momentet më të vështira të tyre. Gjithashtu, jemi në kontakte të vazhdueshme me të gjithë operatorët ekonomik, ku na është garantuar furnizim i mjaftueshëm i produkteve të shportës së konsumatorit dhe nuk ka nevojë për shqetësime sa i përket furnizimkit”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
“I kemi përgatitur listat dhe nevojat e komuniteteve tjera, të cilët janë qytetarë të komunës tonë, ku së shpejti do të vazhdojmë t’i bëjmë shpërndarjen e pakove dhe do t’u dalim në ndihmë. Sot kemi pranuar donacion në ushqime në një për 400 familje nga “Elkos Group” dhe për 200 familje nga “Devolli Corporation”, këto dy kompani po i japin mbështetje gjithsejt 600 familjeve të të gjitha komuniteteve sipas listës që e ka përgatitur komisioni komunal për raste sociale, duke bashkëpunuar ngushtë me kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai tha më tej se “Virusi nuk përhapet vetvetiu, por jemi ne që e shumëfishojmë me kontaktet që kemi me njëri-tjetrin në rrugë apo në ambiente të ndryshme publike. Mënyra e vetme për ta parandaluar është qëndrimi në shtëpi, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, me shpresë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt”,ka potencuar ai.
Përfaqësuesit e këtyre kompanive kanë konfirmuar se janë të fokusuar të mbështesin në bazë të prioriteteve rastet e rënda sociale në këtë kohë të pandemisë që vendi ynë po kalon.