Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar me nga drejtori për Shëndetësi, Selami Xhemaili, kanë vizituar në Qendrat e Mjekësive Familjare, në fshatin Malishevë, Uglarë dhe në Pogragjë.
“Jemi njoftuar se personeli i këtyre qendrave mjekësore, është vazhdimisht në dispozicion për ta luftuar pandeminë Covid-19, në fazën fillestare. Janë të përkushtuar vazhdimisht të punojnë në terren dhe në ordinancat e QMF-ve. Është përkushtim maksimal i mantelbardhëve për të ofruar shërbime shëndetësore nëpër të gjitha fshatrat”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
“Edhe kryetarët e Këshillave të këtyre fshatrave, na njoftuan që po punojnë në stabilizimin dhe daljen në ndihmë të këtyre banorëve, me të gjithë kapacitet e tyre, me vullnetarët dhe donatorët, që së bashku edhe me ne si Qendër Emergjente, t’i dalim në krahë të gjithë banorëve. Këshillave të këtyre fshatrave, iu premtova që jemi së bashku në këtë rrugë të përbashkët, ku bashkërisht do t’i trajtojmë kërkesat dhe nevojat e tyre, në të mirë të gjithë banorëve”, ka potencuar ai.
Ismajli ka falënderuar të gjithë mjekët dhe infermierët, që janë në frontin e parë të kësaj beteje, për punën dhe sakrificën e tyre.
“E lusim Zotin për të na mundësuar një jetë të qetë dhe larg kësaj pandemie. Vetëm të bashkuar, do jemi në gjendje për të arritur atë të cilën po pretendojmë për çdo ditë”, përfundoi Ismajli.