Komuna e Gjilanit në kuadër të angazhimeve kundër pandemisë Covid 19, përpos masave mbrojtëse dhe mobilizimit për të shmangur lëvizjet e qytetarëve dhe automjeteve, është duke bërë edhe shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për të gjithë qytetarët që janë me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Në kuadër të angazhimeve të shumta është edhe mbështetja e rasteve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale duke përfshirë të gjithë qytetarët pa dallim etnie. Gjatë ditës së sotme dhe atyre në vijim po shpërndahen pakot ushqimore dhe higjienike edhe për komunitetet pakicë në Gjilan. Përzgjedhja e rasteve është bërë nga Komisioni komunal duke përfshirë edhe kërkesën e cila ka ardhur nga përfaqësuesit e komuniteteve”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai ka potencuar se Komuna e Gjilanit është e përkushtuar që bashkarisht të tejkalohet kjo gjendje në të cilën është vendi deri në normalizimin e plotë.
“Janë ditët të cilat kërkojnë përkushtim maksimal të të gjithëve pa dallim, duke shmangur daljet nga shtëpitë, sepse kështu ndalohet shpërndarja e virusit në raste të reja”, ka potencuar ai mes tjerash.