Zbatimi i mësimit online ka për qëllim sigurimin e shërbimeve arsimore dhe realizimin e kurrikulës shtetrore të Kosovës në përputhje me kushtet e krijuara në rrethana të pandemisë COVID – 19.
Për realizimin me sukses të mësimit në distancë, kërkohet angazhimi i plotë i autoriteteve, institutioneve dhe i personelit arsimor.
Realizimi i mësimit në distancë nuk është angazhim vullnetar por përmbushje e obligimeve ligjore e profesionale dhe kontraktuale të puntorëve e të autoriteteve arsimore. Vendimi i MASHT i zbatimit të mësimit online i bazuar në nenin 5, pika 1.3 dhe 1.4 të Ligjit (04/L-032) për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në zbatim të vendimit 01/07 të datës 11.03. 2020.
Shkollat:
Drejtorët e shkollave vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre karshi mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollës së tyre. Në përputhje me detyrat e punës koordinojnë organizimin e mësimit në distancë dhe i raportojnë rregullisht DKA-së.
Drejtori i shkollës do të krijojë një grup virtual arsimor me Këshillin e Shkollës dhe me kryetarët e aktivave profesionale në shkollë për të lehtësuar mirëvajtjen e mësimit online në shkollë.
Në rastet kur drejtori i shkollës nuk arrinë realizimin e grupit virtual – atëherë ai / ajo angazhon një mësimdhënës për këtë qëllim.
Kryetarët e aktivave lëndore janë të obliguar të komunikojnë me anëtarët e aktivit me qëllim të përcjelljes së detyrave nga Drejtori dhe Këshilli i Shkollës dhe për përkrahje të mësimdhënësve individualë. Kryetarët e aktivave profesionale këshillojnë mësimdhënësit, u ndihmojnë për tejkalimin e problemeve dhe përcjellin realizimin e kurrikulës bërthamë.
Edhe kryetarët e aktivave komunikojnë aktivisht me kujdestarët e klasave dhe me mësimdhënësit për realizimin e mësimit (përmes komunikimit virtual në zoom.us, facebook, viber ose platforma tjera).
Kujdestarët e klasave:
Kujdestarët e klasave janë bërthama rreth së cilës organizohen mësimdhënësit në përpjekjet për lehtësimin e mësimit online me klasat e veta në të gjitha platformat.
Kujdestarët e klasave organizojnë grupe virtuale me nxënësit e paralelës së vet. Të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në punë me këtë klasë organizohen rreth kujdestarit të klasës.
Kujdestari i klasës përcjellë orarin e mësimeve online dhe komunikon me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve
Mësimdhënësit:
Mësimdhënësit të vazhdojnë kryerjen e detyrimeve të veta profesionale duke u fokusuar në lehtësimin e realizimit të mësimit online.
Mësimdhënësit duhet të përcjellin mësimin online (platforma MASHT, përmes RTK).
Të furnizojnë me të dhëna platformën /mesojmengashtepia/ të DKA-së.
Të krijojnë grupe virtuale (në facebook, viber, skype etj.) me nxënësit dhe prinderit.Në rast të mungesës së prindërve të një fëmije, mësimëdhënësi përfshinë në rrjet një të afërm ose kujdestar të fëmijës.
Të përkujdeset për aktivizimin e rregullt të nxënësve, përkujdesjen dhe përcjelljen e kryerjes së detyrave të shtëpisë, këshillimin e nxënësve për tejkalimin e sfidave, shpjegimin e pjesëve më të vështira, mbajtjen e evidencave e të tjera.
Mësimdhënësit përcjellëin orarin e mësimeve online dhe komunikojnë me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve.
Prindërit;
Prindërit, sidomos ata që kanë fëmijë të moshës së re (klasat 1-3), janë pikat kryesore për realizimin e mësimit online. Prindërit janë faktori më i rëndësishëm për realizimin e mësimit. Ata mbajnë kontakt të rregullt me mësimdhënësit/mësuesit dhe me kujdestarët e klasave për të siguruar realizim sa më serioz të mësimit online.
Forma plotësuese për Shkollat profesionale:
Realizojnë mësimin online në lëndët e përgjithshme (gjuhë amtare, matematikë, gjuhë e huaj e të tjera), ndërsa pas rifillimit të mësimit organizojnë mësimin bllok vetëm për lëndët specifike profesionale, praktikën profesionale dhe segmented e lëndëve që kërkojnë punë laboratorike.
Pas rifillimit të mësimit, mësimdhënësit e lëndëve kryesore e të përgjithshme që kanë realizuar mësimin online, angazhohen në përkrahjen e nxënësve për testimet e duhura (përsëritje, vlerësim, kontrollim i portfoliove etj), dhe në përkrahjen e realizimit të mësimit bllok sipas vlerësimit të menaxhmentit të shkollës
Me besimin në njëri tjetrin dhe me përpjekjet e përbashkëta do t’ia dalim!