Unë nuk merrem me shkrime ne Fb, meqenëse profesioni im nuk është politika, gazetaria (apo diçka e ngjashme), por afarizmi. Por, fatkeqësisht, duke parë që zhvillimi ekonomik sidomos për ndërmarrjet prodhuese, po varen nga Politika dhe (Jo)Stabiliteti Politik i vendit, fakt i cili po më detyron të merrem me politikë pa pasur aspak dëshirë.
Kam menduar që javën e kaluar, para rënies së Qeverisë, të shkruaj një mendim timin politik, përkatësisht një lutje për Kryeministrin (shokun tim), mirëpo sinqerisht nuk e besoja që kjo Qeveri do të rrëzohej, duke e pasur parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Mirëpo, gabova, sepse qeveria u rrëzua! Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që çuditem dhe zhgënjehem prej shumicës së klasës politike që janë në pushtet pothuajse qe njëzet (20) vite radhazi, duke shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë etj, etj .
Meqenëse, për shkak të izolimit, po kemi më shumë kohë këto ditë që të përcjellim ngjarjet politike, po shkruaj një mendim/opinion/lutje që kisha javën e kaluar për ju, tani për Kryeministrin në detyrë!
Kryeministër,
Mos e ndiqni fatin e Morsit (ish – President i Egjiptit)!
Në një takim që kemi pasur në familjen tonë, në fund të vitit 2011, në të cilin ju ishit mysafirë së bashku me disa aktivistë të LVV-së së Gjilanit, njëra prej pyetjeve të mia ishte: “Si do të vini në Qeveri pa mbështetjen e Amerikës?”, me ç’rast përgjigjja juaj ishte: “Kur ta votoj populli LVV-në, edhe Amerika e pranoj atë, ashtu siç ka ndodhur edhe në Egjipt. Amerika po e përkrah Morsin edhe pse nuk e kishte përkrahur në fillim, meqenëse e kishin Mubarakun partner për shumë vite, por pas fitimit të zgjedhjeve po e përkrah”. Në fakt, Amerika e pranoi Morsin në fillim, mirëpo në momentin që nuk ishte në vijë me politikat Amerikane, pa përkrahjen e kësaj të fundit, ai nuk mundi të mbijetonte dhe e rrëzuan nga pozita e të parit të Egjiptit.
Ne të gjithë e dijmë që LVV dhe ju keni ndryshuar shumë nga viti 2011 dhe shumë mirë që keni ndryshuar! Mirëpo, ju duhet edhe një ndryshim i vogël, i cili është besoj në vijë me qëndrimin dhe parimet e shumicës së popullit të Kosovës! Ky ndryshim, ka të bëj me respektin ndaj partnerëve edhe në rastin kur ju apo populli kan/keni të drejtë (siç ishte rasti i taksës). Madje, nevojitet jo vetëm respekti ndaj partnerëve ndërkombëtarë por edhe atyre vendorë, pasi që kemi tema të mëdha që na presin si popull dhe shtet.
Ai që të frikësohet, as nuk të voton dhe as nuk të përkrah e aq me pak të bëhet partner! Ndërkaq, pa partner edhe nëqoftëse i fitoni mbi 51% të votave (që mendoj se është pothuajse e pamundur), për momentin politik në të cilin ndodhemi, vlerësoj që do ta keni të vështirë të mbani qeverinë. Si rrjedhojë, pa qeverinë e ndryshimit dhe pa partnerë vendorë dhe ndërkombëtar nuk do të kemi as ndryshim dhe as perspektivë për zhvillim ekonomik. Meqenëse jemi pothuajse shteti më I pazhvilluar në Evropë dhe më së largu nga proceset integruese evropiane ndër të gjitha shtetet e rajonit, juve si Kryeministër në detyrë ju duhet një punë shumë e madhe dhe e guximshme për formimin e një qeverie të re para apo pas zgjedhjeve, me qëllim që Kosova të jetë stabile, e hapur dhe partnere me të gjitha vendet e sidomos me SHBA-në, Bashkimin Evropian, si dhe shtetet e tjera të cilat kanë interes të investojnë në Kosovë. Duke pasur zgjedhje pothuajse çdo vit, jo vetëm që nuk do të ketë investime nga jashtë por edhe ne që jemi shtetas të Kosovës dhe afaristë të këtij vendi, kemi frikë të investojmë, pasi që nuk e kemi besimin e partnerët e jashtëm të biznesit për shkak të jo-stabilitetit politik që ekziston në Kosovë.
P.S.
Kemi harruar solidaritetin me Italinë! U bëj thirrje të gjitha institucioneve të vendit për një ndihmë ndaj këtij shteti, qoftë ajo edhe simbolike!