U bënë 21 vjet nga vrasja makabre nga regjimi serb, i familjeve të pafajshme nga Zhegra. Familjet që kanë pësuar nga kjo tragjedi janë: familja Tahiri, familja Haziri-Idrizi, familja Ukshini, familja Isufi, familja Rrustemi, familja Zenuni, familja Mustafa, familja Hamiti, familja Hasani, familja Maloku, dhe familja Kadriu.
Vrasja e tyre, e cila është kryer nga forcat serbe, është krimi më i madh, që i bashkangjitet qindra krimeve tjera, për t’i privuar nga liria njerëzit e pafajshëm. U kërkojmë falje të gjithë familjarëve, që përshkak të situatës së krijuar, nuk mundëm të arrinim ta vendosnim nga një lule tek varri i tyre, në shenjë respekti dhe përulje, për sakrificën e tyre jetësore.Kjo vrasje e pjestarëve të këtyre familjeve, mbetet krimi më monstruoz që kanë mundur ta bëjnë vetëm forcat sërbe.
Është shumë e dhimbshme që pas 21 vitesh, drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj të shenjtë, për ta dënuar maksimalisht ekzekutorin e këtij krimi të ashpër, përveç, një denimi minimal që nuk përmbushë dhimbjet e thella për të cilat vuajnë familjarët e tyre. Lutemi që institucionet shtetërore të jenë afër familjeve, të cilët sakrifikuan gjithçka, për të arritur të shtrenjtën liri. Familjarët e tyre, duhet të kenë vend të veçantë në zemrat tona. Heshtja ndërkombëtare përballë të gjitha krimeve në vendin tonë, nuk i shërben drejtësisë dhe paqes.