Banorët e fshatit Pogragjë të komunës së Gjilanit kanë shprehur shqetësimet e tyre për kalimin e mundshëm ilegal të kufirit në këtë anë, nga ana e qytetarëve që vijnë nga vendet që janë të prekura me koronavirus, për t’iu ikur kështu masës së ndërmarrë të futjes në karantinë. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në përhapjen e koronavirusit.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës thotë se është e përkushtuar në punën e saj të përditshme për parandalimin e kalimeve ilegale. “Policia e Kosovës në vazhdën e angazhimeve aktive të saj, garantimit të sigurisë së përgjithshme për qytetarët, mbajtjen e rendit publik dhe parandalimin e kalimeve ilegale, është duke punuar me përkushtim edhe përmes Departamentit të Policisë Kufitare me qëllim të menaxhimin sa më profesional dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhej ndër tjerash, në një përgjigje të tyre.
Përndryshe, Avdi Aziri, banor i fshatit Pogragjë i ka thënë Portalit 2LONLINE.com se, si të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit edhe banorët e Pogragjës ,deri më tani, i kanë përfillur dhe i kanë zbatuar masat që i kanë caktuar institucionet përkatëse të shtetit, dhe kjo është shumë mirë.
Por, një shqetësim i ditëve të fundit, thotë ai, është edhe përfoljet në fshat rreth kalimeve ilegal të kufirit nga qytetarët që po kthehen nga vendet e prekura me virusin CO19, e që duket se po ndodh në këtë anë dhe ka për qëllim shmangien e masës së futjes në karanatinë.
Aziri tha se institucionet përkatëse duket të jenë vigjilentë dhe tentativa të tilla të pengohen apo t’i gjejë personat që kanë hyrë tani më apo vazhdojnë të hyjnë ilegalisht, pasi ekziston rreziku i madh për mundësinë e përhapjes të pandamisë në komunën tonë.
Qëllimi i identifikimit të tyre apo i shprehej se këtij shqetësimi, thotë tutje Aziri, nuk është për gjë tjetër, përveçse se për t’u marr masa që ata të mbrohen nga koronavirusi, të mbrohen familjet dhe rrethi i tyre, e me këtë të mbrohemi edhe ne të gjithë të tjerët.
“Apelojmë te institucionet e shtetit t’i shtojnë masat dhe policia, në bashkëpunim edhe me banorët vendas, t’i identifikojnë personat e mundshëm të kthyer ilegalisht, sepse ekziston rreziku real i përhapjes të kësaj pandemie”, ka thënë Aziri për 2LONLINE.com.
Në anën tjetër, interesimi ynë për atë se sa janë në dijeni policia, a kanë të identifikuar persona të tillë dhe cilat janë masat që i kanë ndërmarr apo parashohin t’i ndërmarrin, ka marr përgjigje nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Në të thuhet se Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”.
Policia e Kosovës është pjesë e komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të Koronavirusit dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
Më tej thuhet se urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, preventimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.
Po ashtu Policia e Kosovës në vazhdën e angazhimeve aktive të saj, garantimit të sigurisë së përgjithshme për qytetarët, mbajtjen e rendit publik dhe parandalimin e kalimeve ilegale, është duke punuar me përkushtim edhe përmes Departamentit të Policisë Kufitare me qellim menaxhimin sa më profesional dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës bënë përpjekje të vazhdueshme në luftimin e dukurive negative, veçanërisht luftën e pa kompromis kundër, kalimeve ilegale dhe kontrabandimit të mundshëm me migrantë dhe në të gjitha rastet, ato trajtohen sipas ligjeve të aplikueshme në vend. Ndërsa sa i përket rasteve, ju mund t’i referoheni raportit 24 orësh të PK-së, ku paraqiten rastet në baza ditore”, thuhet në fund të përgjigjes që ka dhënë për Portalin 2LONLINE.com, Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në interesimin për shqetësimin e banorëve të Pogragjës dhe mundësinë e kalimeve të mundshme ilegale në këtë anë.