Fshati Topanicë i komunës së Kamenicës, të martën është shpallur zonë karantinë. Kjo pasi një banor i këtij fshati, mbrëmjen e së hënës rezultoi i prekur me virusin COVID-19. Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, gjatë ditës së sotme do të marrë për testim mostrat e familjarëve që kanë pasur kontakt me të prekurin me koronavirus.
Kishte hyrë në Kosovë më 18 mars, përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë’, e më pas ishte vendosur në karantinë.
Në ditën e 12-të të izolimit, në analizën për COVID-19, banori i fshatit Topanicë rezultoi pozitiv.
Tashmë do të merren mostrat e të gjithë familjarve dhe atyre që dihet se kanë pasur kontakt me personin e prekur me koronavirus.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Kamenicës, Suna Zajmi.
“Sot po presim prej Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës që t’i marrë mostrat e familjarëve të të prekurit me koronavirus. I kam kontaktuar mbrëmë dhe sot, jemi në pritje të tyre”, ka thënë Suma.
Ndërkohë drejtoresha e shëndetësisë ka treguar se e posedojnë listën e familjarëve të të prekurit, mirëpo ende janë duke kryer të gjitha hetimet e nevojshme për të kuptuar me cilët familjarë ka pasur kontakt i prekuri me COVID-19.
“Listën e familjes e kemi, por do të shikojmë kush prej tyre ka pasur kontakt me të. Sepse ka familjarë që nuk e kanë takuar”, ka theksuar Suma.
Ndërkohë Suma ka bërë të ditur se pas izolimit të fshatit Topanicë, banorët po lejohen të dalin vetëm të shoqëruar nga Kryetari i Këshillit të fshatit.
E këto dalje po bëhen vetëm në raste të emergjerncave, apo nevojës për ilaçe.
Për futjen në karantinë të fshatit Topanicë, ka marrë vendim Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës, mbrëmjen e së hënës.
Sipas vendimit, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin i cili rezultoi pozitiv me koronavirus.
“Fshati Topanicë, Komuna e Kamenicës shpallet zonë karantinë pasi që banorët e këtyre fshatrave dyshohen se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me coronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.
Ndryshe, numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 112.
Megjithatë, pasditen e së martës pati një lajm të mirë, 5 prej personave të prekur janë shëruar, duke bërë që numri i të shëruarve të shkojë në 6.
Derisa tashmë në vend është shënuar edhe viktima e parë nga koronavirusi.
Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.