Pulmologu kosovar, Besim Morina përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se rekomandimet e deritanishme në shumicën e vendeve përëndimore kanë qenë që përdorimi i maskave në publik është i panevojshëm. Mirëpo, praktikat në Kinë dhe vendet tjera të Azisë lindore si dhe studimet e fundit mbi mënyrën e bartjes së infeksionit, kanë treguar që mbajtja e tyre ndihmon në uljen e infeksionit.
Prandaj sipas tij, përdorimi maskave në vendin tonë, duhet të jetë i obligueshëm.
Ky është postimi i Dr. Morinës:
Njohuritë tona mbi bartjen e infeksionit të SARS-CoV-2, cdo ditë e më shumë po rriten. Kështu është kuptuar se rruga kryesore e bartjes së infeksionit nuk është përmes aerosoleve të imta që dalin në ajër gjatë të folurit dhe frymëmarrjes (të cilat ndalen përmes maskave N95) por përmes pikëzave më të mëdha të cilat nxirren përmes kollitjes apo të tështitjes. Këto të fundit ndalen edhe me maska të thjeshta kirurgjike. Pikërisht, përdorimi i çfarëdo pengese fizike të shpërndarjes së këtyre pikëzave, qoftë maskave kirurgjike, atyre artizanale apo një mbulesë të thjeshtë të gojës e hundës do të zvogëlonte përhapjen e infeksionit.
Në anën tjetër, dihet fakti që aerosolet e imta (më të vogla se 10 mikrometra) dalin jashtë me frymëmarrje dhe gjatë të folurit por nuk shpërndahen më larg se 2 metra para se të bijnë poshtë në sipërfaqe apo të avullohen. Ndërsa pikëzat e mëdha (më shumë se 10 mikrometra) shpërdahen me një shpejtësi të madhe, me tështitje 50 metra për sekondë apo me kollë rreth 10 metra për sekondë, çka mund të shpërndajë pikëzat deri në 6 metra, dhe kjo e bën të paefektshme distancën sociale rreth 2 metra. Mbajta e maskës së thjeshtë e ndal këtë shpërndarje përmes pikëzave në tërësi, por edhe të aerosoleve të imta në një masë deri në 75%.
Si përfundim, të gjitha të dhënat tregojnë se mbajtja e maskës nëse kombinohet edhe me masa tjera si ajo e distancimit social dhe ato të pastrimit të duarve e mosprekjes së fytyrës, do të qonte në një ngadalësim drastik të shpërndarjes së infeksionit mbajtje të kurbës së infeksionit poshtë. Është e udhës që autoritetet përgjegjëse në Kosovë sa më herët çdo personi që del në vende publike t’i rekomandohet apo edhe të obligohet mbajtja e maskës apo mbulimi i fytyrës.