Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me dy Nënkryetarët e Komunës, dhe Shtabin Emergjent Komunal, sot ka pritur në takim Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe Ministrin e Shëndetësisë në detyrë Arben Vitia si dhe Ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal në detyrë, Emilija Redžepi.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me problemet, nevojat dhe masat që janë marr në Kamenicë.
I pari i Komunës, Qëndron Kastrati tha se i kanë drejtuar kryeministrit kërkesat dhe rekomandimet e tyre, duke treguar se situata është nën kontroll.
“Ne u morëm vesh se si të veprojmë në ditët në vazhdim. Kemi pasur fatin si komunë, që të identifikuarit e parë t’i kemi më vonë, dhe për këtë secili institucion e ka ngritur vetëdijën se si duhet të veprojmë dhe të sillemi. Në Topanicë kemi 12 të infektuar, dhe Instituti i Shëndetësisë Publike do të vazhdojë edhe me një grup tjetër për t’i testuar. 161 persona janë në vetizolim dhe rastet janë izoluar dhe janë nën kontroll”, tha Kastrati.
Kastrati gjithashtu kërkoi nga qytetarët e Kamenicës që të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar.
“Bashkë po kërkojmë që kujdesi të mos bie dhe që qytetarët të mos relaksohen sepse është e rëndësishme që edhe në ditët në vazhdim të mbahet distanca dhe ta kenë parasysh që mund të ketë të infektuar në secilin fshat dhe lagje”, shtoi ai.
Ndërkaq Kryeminstri Kurti tha se u diskutua për situatën në Kamenicë, për përgatitjet dhe masat që ka marr Kryetari i Komunës për të menaxhuar këtë situatë.
Kryeministri në detyrë gjithashtu tha se muaji prill, është vendimtar për krizën e këtij virusi, andaj të gjithë bashkë duhet të kemi kujdes të shtuar.
“Shembulli që po e tregojmë si shtet në trajtimin e situatës, duhet ta mirëmbajmë edhe këtë muaj, sepse prilli është vendimtar. T’i ruajmë pleqtë tanë dhe ata që kanë probleme të ndryshme shëndetësore, sepse është jetike”, shtoi Kurti.