Qeveria e Kosovës do të detyrohet të marrë masa të reja sa i përket kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, pasi Gjykata Kushtuese urdhëroi shfuqizimin e vendimit aktual të hënën e 13 prillit.
Në mbledhjen e fundit, qeveria autorizoi ministrin e Shëndetësisë që të marrë masat e reja për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së COVID-19.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se masat nuk do të jenë të njëjta për secilin komunë. Ai la të kuptohet se ato do të vendosen në konsultim edhe me kryetarët e komunave përkatëse.
Megjithatë, shefi i ekzekutivit siguroi se nuk do të ketë lehtësim të masave, përkundrazi, pritet shtimi i tyre, porse për këtë do të vendosë grupi punues në përbërje të të cilit janë ministrat e Shëndetësisë, Infrastrukturës e Ambientit, Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Lokal.
“Ne i kemi formuar një grup punues në qeverinë tonë që përbëhet prej 4 ministrave dhe që do të përcaktojë në hollësi edhe masat edhe ndryshimin e tyre sa i përket lëvizjes së qytetarëve nëpër komuna të ndryshme, varësisht nga gjendja nëpër ato komuna. Komunat nuk e kanë situatën njësoj, rrjedhimisht ne nuk mund t’i trajtojmë në mënyrë identike. Këta katër ministra janë Arben Vitia, Lumir Abdixhiku, Emilia Rexhepi dhe Xhelal Sveçla. Pra, Pushteti Lokal, Shëndetësia, Infrastruktura e Ambienti dhe Punët e Brendshme. Këta katër ministra me në krye ministrin e Shëndetësisë, Vitia, do të kontaktojnë, komunikojnë e bashkëpunojnë me secilën komunë në mënyrë që masat t’ia përshtatim gjendjes së komunës. Por, ajo që dihet është që nuk do të ketë çlirim të masave, por shtim të tyre, do të ketë rigorozitet më të lartë”, deklaroi Kurti.
Ai paralajmëroi se do të vazhdojë vizitat e tij nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe se agjenda e tij përgatitet nga stafi dhe nuk bën vizita në bazë të përkatësisë politike të kryetarit të komunës.
Kurti tha se jemi të gjithë bashkë në këtë luftë dhe se opozita ndonjëherë kritikon sepse është opozitë.
“Gjithandej nëpër komunat e Kosovës diku kryetari është i një subjekti, diku është i një subjekti tjetër edhe unë nuk po vërej dallime në qasje, në mënyrat e tyre edhe në qëndrimet e sjelljet karshi qeverisë së Kosovës. Jemi plotësisht bashkë me këtë luftë të përbashkët kundër koronavirusit i cili siç dihet nuk i dallon njerëzit as sipas partisë, etnisë, as sipas komunës, rajonit apo religjionit. Vështirësia që ekziston në institucionet qendrore është po ashtu edhe pasojë e koronavir usit meqenëse ne nuk po mund të takohemi e diskutojmë siç do ta bënim këtë në kushtet tjera. Natyrisht që qeveria në detyrë dëshmohet me punët që kryen ndërkaq opozita e bën kritikën përveç tjerash edhe për shkak së është opozitë”, përfundoi Kurti.