37 pacientë të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje infektologu Shemsedin Dreshaj.
Në një prononcim për Express, Dreshaj ka thënë se gjendja e dy prej të infektuarve është kritike.
“37 të infektuar me COVID-19 janë të shtrirë në Infektivë. Katër prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike”, ka thënë Dreshaj për Express.
Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit, Prizreni dhe Prishtina.
IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 14 pacientëve të tjerë.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë. Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52)”, thuhet në njoftim.
Sipas IKSHP’së, që nga data 8 shkurt e deri mbrëmë janë testuar 2 mijë e 876 mostra dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4 mijë e 176 kontakte të rasteve.
“Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, njofton instituti.
Deri tani, betejën me koronavirusin e kanë humbur shtatë persona, derisa janë shëruar 52 të infektuar.