Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas shtimit të numrit të infektuarve me koronavirus në 24-orëshin e fundit, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet e profesionistëve, raporton Gazeta Express.
“24-orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve të konfirmuar me Covid-19, gjithsej 79. Ky numër tregon fuqinë e armikut të padukshëm, dëshmon se, nëse ne, sikur thonë profesionistët shëndetësorë, ne i japim këmbë atij, ia bartim atë tjetrit, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme”, ka shkruar në Facebook Osmani.
Kryetarja e kuvendit ka bërë thirrje që qytetarët të bëhen bashkë për ta ndaluar atë.
“ Prandaj, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur atë, për të shpëtuar jetët tona e të të dashurve tanë; t’i kufizojmë liritë tona sot që t’i gëzojmë përherë pastaj; ta kuptojmë se fatin e betejës e kemi në duart tona dhe se vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke i ndjekur udhëzimet e profesionistëve, mund ta fitojmë atë. Së bashku mund t’ia dalim”, ka shkruar ajo./GazetaExpress/