Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në Qendrën Operative Emergjente në Gjilan një delegacion të Klubit Rotarian të Gjilanit, prirë nga kryetari i tyre, Shpëtim Miftari, të cilëve u ka premtuar se komunën do ta kenë përherë partnerë, përfshirë edhe iniciativën e tyre për të ndihmuar personat me nevoja të veçanta.
Duke falënderuar të gjithë ata që në këtë kohë të pandemisë po i ofrohen komunës në forma të ndryshme dhe me ndihma të ndryshme, kryetari Haziri ka konfirmuar se komuna do ta përkrahë dhe do të jetë partnere e Rotari Klub Gjilani në iniciativën e tyre për të grumbulluar mjete e pastaj ato të dedikohen për nevoja të personave me aftësi të kufizuara.
Nga ana e tij, Shpëtim Miftari kryetar i Klubit Rotarian Gjilani, tha se kjo iniciativë erdhi nga rotariani Fadil Rrahmani i cili njehësh është donatori kryesor në këtë projekt e të cilit iu kanë bashkangjitur edhe rotarianët tjerë, por edhe vet Klubi nga fondi i saj si dhe biznese e njerëz vullnetmirë.
Ai ka bërë me dije se veçse janë grumbulluar rreth 2 mijë 500 euro, por se projekti do të zgjas deri të premten, andaj te gjithë ata qe duan të kontribuojnë, mund t’i kontaktojnë zyrtarët e Klubit rotarian Gjilani.
Miftari tha se i gëzohet faktit të gatishmërisë së kryetarit të Komunës Lutfi Haziri që komuna të jetë partnere dhe këtë projekt ta realizojnë së bashku.
Në këtë, kryetari Haziri, përveç kontributit të tij personal dhe të miqve të tij, konfirmoi se edhe Komuna do të jetë partnere dhe shumën e grumbulluar të rotarianëve deri të premten, do ta dyfishojë në bazë edhe të një marrëveshje që e ka me klubin për projekte të përbashkëta.
Përndryshe, Kryetari Haziri ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve përkatëse, të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetëpërmbahen nga dalja në vendet publike pa nevojë.
Mos i rrezikon fëmijët, familjen, lagjen e qytetin tuaj. #rriNshpi.