Kryetari i Lidhjes Demokratike të LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se Këshilli i Përgjitshëm i partisë së tij i ka dhënë dritën jeshile për një koalicion me AAK’në e Haradinajt dhe NISMA’n e Fatmir Limajt.
Nga i gjithë Këshilli i Përgjithshëm, 108 kanë përkrahur një koalicion me AAK’në dhe NISMA’n, 6 kanë dalë kundër dhe 10 të tjerë s’janë përgjigjur fare.
Njoftimi i plotë i Isa Mustafës:
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,
Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 12 prill dhe plotësimin e saj më 13 prill 2020.
Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.
Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Kryetari i LDK-së
Isa Mustafa