53 pacientë të infektuar me COVID-19, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Dy prej tyre gjenden në mjekim inteziv. Për gjendjen e të infektuarve ka dhënë detaje infektologu Arben Vishaj.
Në një prononcim për Gazetën Express, Vishaj ka thënë se gjashtë prej të infektuarve janë me oksigjenoterapi dhe se dy të tjerë gjenden në mjekim intenziv.
“Aktualisht në Infektivë janë duke u trajtuar 53 të infektuar. Gjashtë prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe dy të tjerë janë në Mjekim Inteziv. Gjendja e shtatzanës vazhdon të jetë e rëndë”, ka thënë Vishaj për Express.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se nga testimi i 209 mostrave të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, kanë rezultuar të infektuar 31 persona.
Sipas IKSHP’së, rastet e konfirmuara mbrëmë janë nga Ferizaj, Vitia, Prishtina, Fushë Kosova, Skënderaj, Shtimja, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në njoftim.
Me rastet e konfirmuara mbrëmë, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 480.
Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill./Gazeta Express