Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se askush më mirë se besimtari nuk ia di vlerën sakrificës, prandaj ka bërë thirrje që këtë Ramazan t’i respektojnë rregullat e institucioneve.
Ai tha se shpreson që kujdesi do të jetë më i madh, që të mos shtohen rastet e sëmundjeve..
Statusi i plotë:
Sonte është syfyri i parë i Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.
Të gjithë besimtarëve të vendit tim, shqiptarëve myslimanë e atyre në të gjithë botën, u qoftë i mbarë e i lehtë!
U bëfshim të devotshëm si ju,
Të sakrificës si ju!
Këtë vit mbrëmjet e iftaret nuk do të jenë si çdo vit. Po kush më mirë se besimtarët e di vlerën e formën e sakrificës? Agjërimin këtë vit na duhet ta shoqërojmë me rregulla që na mbajnë larg fizikisht e nuk na lejojnë të mblidhemi as brenda familjeve.
Mbes besimplotë se në këtë muaj kujdesi juaj do të jetë edhe më i madh, që të mos na shtohen rastet e të sëmurëve assesi.
Qofshi vullnetplotë këtë muaj, e lartësofshim të mirën e të mbarën, siç po e lartësoni besimin tuaj!