Masat parandaluese për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 në komunën e Gjilanit, do të ashpërsohen nëse nuk rritet kudesi qytetar deri në ditën e martë, konkretisht deri më 28 prill.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, në një prononcim për Gazetën Metro, i cili ka shtuar se numri i të infektuarve së fundmi ka shënuar rritje si pasojë e moskujdesit të qytetarëve të cilët kanë pasur kontakt me banorët e fshatit Tpoanicë dhe Hodonoc të Kamenicës.
Ismajli tutje ka bërë të ditur se sot janë marrë rreth 50 mostra për testim, rezultatet e të cilëve ende nuk janë bërë të ditura.
” Numri është rritur si pasojë e moskujdesit sepse të gjitha janë raste kontakti me Topanicë dhe Hodonoc dy fshatra të Kamenicës, po vazhdohet të merren mostra edhe sot janë marrë diku mbi 50 mostra për testim, ka ende qytetarë që nuk po respektojnë masat e marra për kujdes në lëvizje, jemi në fazën e vlerësimit deri ditën e Martë, nëse nuk rritet kujdesi qytetar jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat edhe më shumë”, ka thënë Ismajli për Metron.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është raportuar për vdekjen e 21’të si pasojë e koronavirusit në Kosovë, ku viktima e fundit ishte me vendbanim në fshatin Malishevë të gjilanit, duke shënuar kështu vdekjen e dytë në këtë komunë nga pandemia.
Që nga 22 Marsi që kur është prekur nga kooronavirusi, deri më sot komuna e Gjilanit ka shënuar 51 raste pozitive me virusin korona, nga të cilat 18 janë shëruar, dy kanë vdekur, nëntë po qëndrojnë në hospitalizim dhe 22 të tjerë janë në vetizolim. /gazetametro.net