Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Shpresa Kurteshi-Emini dhe shefat e grupeve politike në Kuvend, kanë zhvilluar takim të përbashkët me ekipin ndërinstitucional të kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, ku është ofruar mbështetje për vazhdim të punës për parandalimin dhe ndërmarrjen e masave për t’u përballur me Covid-19.
Kurteshi-Emini ka thënë se gjendja në ditët e fundit në Gjilan është e qetë dhe shpresuese sepse nuk ka raste të reja dhe të gjitha mostrat e marra deri më tani kanë rezultatin negative.
“Nga Komiteti për menaxhimin e emergjencave sot jemi njoftuar se edhe mostrat e marra në ditën e djeshme dhe këto ditët e fundit janë negative, sikur që edhe informimin për rastet e shëruara dhe trajtimin e rasteve të konfirmuara si pozitiv”, ka thënë ajo.
Njëkohësisht, Kurteshi-Emini ka apeluar që edhe më tutje të ketë kujdes maksimal, sepse sipas konfirmimit të nivelit qendror nga 4 maji, do të ketë lehtësim të masave dhe institucionet në Komunën e Gjilanit do t’i zbatojnë ato, mirëpo është e domosdoshme që të jemi të kujdesshëm, me mbajtje të distancës, përdorimin e mjeteve mbrojtëse etj.
“Falënderojmë Shtabin për punën që është bërë në këtë kohë pandemie nga ekipi për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e coronavirusit. Bashkë me shefat e grupeve jemi falënderues edhe për trajtimin e qytetarëve në funksion mbështetjes ekonomike dhe sociale”, ka thënë mes tjerash kryesuesja e Kuvendit.
Në takim kanë marrë pjesë shefat e grupeve të këshilltarëve, Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Mimoza Kadriu (Nisma), Shemsedin Ramushi (AKR), Ibish Ibishi (i pavarur) dhe Emrah Ismail (KDTP).