14 mostra nga komuna e Vitisë janë testuar sot nga IKSHPK dhe 13 prej tyre kane rezultuar negative, kurse 1 person është shëruar nga CoVid-19, ka njoftuar për PlusTV kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Komuna e Vitisë prej rreth 51 ditëve mbahet në karantinë nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht se situata me pandeminë koronavirus është menagjuar jashtëzakonisht mirë dhe e njëjta ështe mbajtur nën kontroll nga Institucionet komunale dhe nga disiplina e qytetarëve të saj, të cilët kanë respektuar në perpikëri rekomandimet e IKSHPK-së.
Krahasuar me qytetet e tjera si Prishtina, Ferizaj dhe Malisheva të cilat kanë pasur numër më të madh të të infektuarve, Vitia ka gjithsejtë 53 raste, 20 prej tyre tashmë të shëruar, por vazhdon të mbahet padrejtësisht në karantinë duke mos u trajtuar e barabartë me komunat tjera. Kjo qasje diskriminuese e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj komunës së Vitisë ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe Institucionet komunale në Viti.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që komuna e Vitisë të hiqen nga karantina, pasi ka vlerësuar se situata me pandeminë koronavirus është duke u menagjuar mirë dhe ka rënie theksuar të rasteve të reja me CoVid-19.
Vitia ka qenë komuna e parë që është vendosur në karantinë, që nga data 13 mars e këtij viti, dhe po vazhdon të mbahet në izolim edhe pse rastet me CoVid-19 kanë rënë dukshem, krahasuar me komunat e tjera. Aktualisht në komunën e Vitisë jane 33 të infektuar me CoVid-19./PlusTV/