Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Selami Xhemajli dhe komisionin për raste sociale, kanë bërë sot shpërndarjen e donacionit me kompjuterë që në këtë fazë janë përzgjedhur për t’i ndihmuar familjet me fëmijë jetimë.
Nënkryetari Ismajli ka thënë se ky është donacion që ka ardhur në adresë të Komunës së Gjilanit dhe ne destinimin ia kemi përcaktuar familjeve me fëmijë jetim.
“Kompania “Led-Com” me pronarët Mehmet Sopa dhe Refik Ramadani kanë sjellur donacionin me kompjuterë për t’i ndihmuar fëmijëve që të ndjekin mësimin online, në këtë fazë të përballjes me pandeminë globale. Publikisht e falënderoj këtë kompani dhe të gjithë donatorët që në këto ditë të vështira janë me ne. Ky aksion do të vëzhdojë dhe ata që kanë mundësi të ndihmojnë këtë mund ta bëjnë dhe donacioni është i garantuar se shkon të rastet më të vështira”, ka thënë nënkyetari Ismajli.
Përndryshe, njoftohen të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë se këtë mund ta bëjnë në çdo kohë duke dorëzuar donacionet e tyre tek Komisioni komunal, i cili merret me rastet sociale dhe familjet me gjendje të rëndë ekonomike në baza ditore.