Përmes një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, pesë fshatra dhe një lagje në qytetin e Vitisë janë shpallur vatra të përhapjes së infeksionit me COVID-19.
Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, vendimi ka prekur fshatrat: Ramjan, Stubëll e Epërme, Pozheran, Skifteraj, Goshicë dhe rrugën “UÇK” në Viti.
“Komuna e Vitisë ka pranuar dje një vendim nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në të cilin sërish lokalitetet: Ramjan, Stubëll e Epërme, Pozheran, Skifteraj (Gjylekar), Goshicë dhe rruga ‘UÇK’ në qytetin e Vitisë janë shpallur vatra të përhapjes së infeksionit. Ndonëse sipas rezultateve të IKSHPK-së qytetarët që më parë kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 në lokalitetet Viti, Skifteraj dhe Goshicë, tanimë veçse janë shëruar. Sipas këtij vendimi, që është nënshkruar nga Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë, ky vendim shfuqizon vendimin e datës 19.04.2020 dhe vlen deri në një vendim tjetër”, ka njoftuar Komuna.
Vitia deri tani ka pasur 53 raste me koronavirus.