Të humbur nga mosdija, të mundur nga joprofesionalizmi, pushtetarëve komunal nuk u paska mbetur gjë tjetër veçse të luajnë rolin e magjistarit.
Me bajrak në dorë kumtuan lajmin e madh: “Gjilani e ka fituar luftën kundër Pandemisë” shumë më përpara se OBSH dhe IKSHK të jepnin një vlerësim profesional përfundimtar dhe të kundërt me paralajmërimet për kujdes dhe përmbajtje.
Për pak, sa qytetarët e komunës së Gjilanit nuk besuan që magjitë e kryetarit Haziri paskësh bekuar qytetarët dhe komunën tonë, vetëm një ditë më vonë, dorëzuan bajrakun.
Të çoroditur nga mania e pushtetit, kryetari dhe nënkryetari duke mos përfillur asnjë normë etike dhe njerëzore, përmes selfie-ve të parreshtura në ngarendje për të përvetësuar meritat që s’u takojnë, nxisin për padëgjueshmëri qytetare dhe sajojnë narracione denigruese ndaj organeve qendrore e shëndetësore.
Kauzat e ngritura mbi fatkeqësitë e popullit janë të paragjykuara të rrënohen para se ato të marrin formë sikundër figurat politikisht të promovuara në kohëra pandemish, tërmetesh e breshërish, janë të destinuara të shpërfaqin fytyrën e vërtetë të shpërdoruesve të fateve të njerëzve dhe shoqërisë.
Fushata e pa ndershme e nënkryetarit të komunës duke ndërsyer bizneset kinse ministria po u mbyll veprimtaritë biznesore dhe vajtimi me lot krokodilli si vendime të padrejta nga ana e ministrive përkatëse, përveç se janë manipulative ato janë edhe ndjellakeqe dhe si të tilla edhe të tejdukshme nga vet pronarët e këtyre bizneseve.
Edhe “zënia e dyerve” të shtëpive të qytetarëve të respektuar të Gjilanit nga nënkryetari i komunës në përcjellje të eskortës së tij, përveç e sanksionuar nga IKSHPK në kohë pandemie dhe emergjence, është edhe jo etike në kohën kur proklamohen madje edhe ndalesat e vizitave të ngushta familjare.
Edhe shumë të tjera veprime të çoroditura në një nga periudhat më të vështira shëndetësore, ekonomike, sociale nëpër të cilat po kalon populli ynë dhe mbarë bota, janë sinjale të mprehta se kujdesi për pushtetin vetanak është mbi kujdesin ndaj shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Me gjasë frika nga suksesi i të tjerëve është poaq i madh sa edhe frika nga mossuksesi i vet. Mjerisht logjika e këtij pushteti, të tillë e koncepton edhe luftën e qytetarëve për të mundur vështirësitë.
Qytetarët tashmë janë vetëdijësuar dhe me durim presin të vazhdojnë shtegun që kanë trasuar vet.
ME TË VËRTETË PAS VËSHTIRËSIVE GJITHSESI VJEN LEHTËSIMI.