Një ekip i Komunës së Gjilanit që përfshin edhe institucionet regjionale është duke i bërë vlerësimet për dëmet që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në ekonomi.Ekipit i prin Valbona Tahiri, drejtoreshë e DZHE, derisa pjesë e tij janë edhe Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike, drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, drejtori ekzekutiv i AZHR-lindje, Agim Zeka dhe ai i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se përpos parandalimit të përhapjes së virusit, jenë angazhuar edhe në parandalimin e dëmeve në ekonomi.
“Përkundër efekteve që i ka lënë pandemia, bashkërisht do të koordinohemi për mënyrën se si t’i rikthejmë kapacitetet e plota, duke përfshirë shërbimet dhe sektorët tjerë që janë prekur”, ka thënë, Lutfi Haziri njofton Komuna e Gjilanit.
Kurse Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, ka thënë se pandemia, përpos krizës shëndetësore, ka shkaktuar edhe krizë ekonomike.“Janë goditur sektorët kyç të ekonomisë duke filluar nga transporti, shërbimet, prodhimi, hoteleria e gastronomia”, ka thënë ajo, duke shtuar se ekipi komunal ka përgatitur një pyetësor, përmes të cilit synojnë ta bëjnë vlerësimin e dëmeve.Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin e bizneset, duke shtuar se të dhënat që i marrin nga ta, janë shqetësuese për afarizmin e komunitetit të biznesit.
Drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, pohoi se dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë kanë pasur efekt edhe te fuqia punëtore.“Prej fillimit të prillit, është rritur numri i të papunëve në zyrën e punësimit. Rreth 3400 aplikacione janë shqyrtuar dhe vënë në sistem, të cilat aplikacione janë bërë për pakon 15 të ndihmave në formën e asistencës sociale për familjet”, ka thënë Aliu.Në fund, drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani, ka bërë të ditur se dëmet në këtë sektor kryesisht janë në perimkulturë, përkatësisht në prodhimtarinë e ambienteve të mbrojtura.Pas pyetësorit i cili do të publikohet sot në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit dhe që përfundon më 20 maj, do të dilet me pakon e masave mbështetëse ndaj sektorit të ekonomisë.