Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka vizituar sot komunën e Gjilanit dhe atë të Vitisë, ku është informuar nga kryetarët e komunave, Lufti Haziri dhe Sokol Haliti, si dhe drejtorët e DKA-ve dhe përfaqësues të prindërve e nxënësve, për punën që po bëhet në organizimin e mësimit në distancë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në këto dy komuna.
Ministrja Bajrami i përgëzoi udhëheqësit e komunave për mënyrën se si i janë çasur situatës, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë, e në veçanti për ndihmën në sektorin e arsimit në këtë kohë të pandemisë.
Sa i përket mësimit në distancë, ministrja Bajrami theksoi se Ministria e ka filluar nga zero, por me një punë të madhe të rreth 200 vetave që kanë punuar, është arritur të bëhen 1800 ligjërata për një kohë shumë të shkurtë.
Megjithatë, ministrja Bajrami tha se mësimi në distancë është i suksesshëm për arsye se ka pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit dhe kështu është krijuar mundësia të ofrohet mësim edhe në gjuhët e komuniteteve jo-shumicë.
Ministrja Bajrami foli edhe për organizimin e testeve të maturës dhe arritshmërisë, që do të organizohen sipas rekomandimeve të IKShP-së.