Gjilan, 1 maj 2020 – E kishin nisur aksionin me qëllimin që t’i dalin në ndihmë studentit Ilir Behluli, i cili vuan nga leukemia dhe ky aksion doli i suksesshëm.
Blendi dhe Shendi, dy vëllezër muzikantë, duke bërë muzikë në qendër të qytetit të Gjilanit kanë mbledhur mbi 5 mijë euro ndihma për shërimin e Ilir Behlulit, i cili duhet të trajtohet jashtë vendit.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se dy vëllezërit për pak orë kanë mbledhur një shumë të konsiderueshme të hollash, Kuvendi Komunal do të ndajë 5 mijë euro, kurse Lutfi Haziri ka vendosur që vetë t’i ndajë 500 euro për këtë qëllim. Haziri ka ftuar opinionin publik, qytetarët e bizneset që t’a rrisin aksionin e mundësinë për të ndihmuar.
Ai tha se ka shumë njerëz vullnetmirë që kanë shprehur gatishmërinë për ndihma e një gjë të tillë do t’a bëjnë edhe institucionet.
Blend Qerimi, ka falënderuar qytetarët për ndihmat e dhëna. Ai ka thënë se në fillim kishin menduar që të mbledhin një shumë parash që do t’a kalonin vlerën e 100 eurove, por qytetarët dhanë ndihmë të konsiderueshme.
“Familja e jonë shquhet për humanitet, që nga gjyshi e babai dhe besojmë që edhe në të ardhmen do të marrim iniciativa të tilla për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, tha ai.
Shend Qerimi, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, duke thënë se ndihmat kanë kaluar vlerën e 5 mijë eurove.