Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korca, drejtesha e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri dhe ai i Inspekcionit, Nevzad Rushiti, kanë vizituar punimet në ndërtimin e rrugës “Enver Miftari” dhe “Skifter Arifi”.
Haziri ka thënë se në kohë pandemie po i realizojnë programet në mënyrën më të mirë dhe me dinamikë të shtuar.
“Kjo rrugë (Skifter Arifi), krijon një korridor jashtëzakonisht të mirë që e lehtëson qarkullimin e qytetarëve dhe ka të integruar të gjitha elementet përcjellëse. Në rrugën “Enver Miftari” është një investim kapital dhe e regullon pjesën e “Fidanishtes” përballë kazermës së Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë kreu i Gjilanit.
Haziri po pret vizitën e ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, për parë përgaditjet e fundit për fillimin e ndërtimit të rrugës 7.4 kilometra Gjilna-Prishtinë.
“Po ashtu, po presim edhe fillimin e rrugës Livoc i Ulët-Kllokot, e cila është në kuadër të financimit të Bankës Europiane për Zhvillim”, ka thënë Haziri.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korca, ka bërë të ditur se kosto e ndërtimit të rrugës “Skifter Arifi” është rreth 220 mijë euro, ndërkaq në rrugën “Enver Miftari”, 1.1 milion euro.
Gjatë vizitës në terren ka folur edhe drejtoresha e DZHE, Valbona Tahiri, ka njoftuar se nga e hëna do të rihapen disa biznese si, gastronomia, parukeria, transporti urban, etj.