Rasti i fundit pozitiv me koronavirus i regjistruar në Komunën e Gjilanit, nuk ka të bëjë me kontaktet e personave të tjerë që janë infektuar nga ky virus deri më sot, ai kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Se a ka pasur kontakt me persona të tjerë derisa i prekuri nga pandemia Covid-19 ishte karantinuar në Qendrën e Studentëve për një javë, për Metron kanë dhënë përgjigje nga komuna e Gjilanit.
Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli ka thënë se i kthyeri nga Amerika që kur ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, është dërguar në karantinë, nga ku edhe i është marrë mostra për testim dhe ka rezultuar pozitiv. Ndërkaq nuk ka pasur asnjë kontakt me të tjerët.
“I kthyeri nga SHBA, nga Aeroporti e kanë dërguar në karantinë në konvikt dhe nga aty i është marrë mostra për test dhe ka rezultuar pozitiv, nuk ka pasë asnjë kontakt me të tjerët”, ka thënë Ismajli për Metron.
Ai tutje ka shtuar se nga kjo komunë, ku së fundmi është rritur numri i të infektuarve me koronavirus, janë bërë testimet e listës D, që nënkupton rrethin e katërt të kontakteve dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
“Gjithashtu kemi bërë testet e listës D apo rrethit të katërt të kontakteve dhe të gjithë janë negative, pra po shpresojmë që nuk do të kemi telashe tjera!”, ka përfunduar Ismajli.
Se rasti i ri me Covid-19 në Gjilan kishte ardhur nga jashtë, e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, i cili përmes një postimi në Facebook, tutje bëri apel te qytetarët që të kenë kujdes meqë masat do të lehtësohen që sot, më 18 maj.
“U njoftuam me një rast të vetëm për #Covid19, që vjen nga nga testimi ne karantine pasi eshte kthy nga Amerika. Uroj që të shërohet shpejt me të gjitha rastet tjera. Nga nesër zbatohet pakoja lehtësuese ekonomike dhe lirohet liria e levizjes, dy herë nga 120 minuta. Ju lutem ta shfrytëzoni të drejtën e rikthimit në punë, por me masa mbrojtëse. Shërbeni vetëm me masa mbrojtëse dhe mos merre e mos jep sherbim pa to. Mbaje distancimin social e mos shko mysafir, e mos prano edhe më tutje mysafirë. Ka mbetur edhe pak kohe për ta mbyllur këtë pandemi që na ka lodhur të gjithëve. Por, jeta e qytetarit është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër. Mbroje vetën e familjen!”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Që nga data 13 mars, kur edhe për herë të parë u paraqitën dy raste pozitive me virusin korona në vendin tonë, Gjilani deri sot i ka 82 të infektuar, 46 janë shëruar plotësisht, dy vdekje dhe 33 raste aktive. /gazetametro.net