Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bashkëpunim edhe me Handikos, UNICEF dhe Rotary Club Gjilani, duke potencuar faktin se të gjithë njerëzit pa dallime janë të barabartë para Zotit dhe ligjit, kanë bërë sot shpërndarjen e 333 pakove ushqimore dhe higjienike dhe 50 tabletëve për personat dhe nxënësit me aftësi të kufizuara.
“Të gjitha shoqëritë sprovohen dhe ato kanë ndodhur në të gjitha kohërat. Askush nuk mund të gjej arsyen apo të thotë, pse jemi të ndryshëm si njerëz? Duke qenë të ndryshëm në jetë, në pamje dhe në mundësi tjera, natyrisht se nuk e dimë a është më i drejtë, më i mirë dhe më i aftë Afrimi në karrocë apo unë, në ushtrimin e jetës, aktiviteteve dhe angazhime të tjera. Këto të gjitha janë sprova, mirëpo ne në zemra duhet të ndjehemi të barabartë, pa aftësi të kufizuara apo mundësi të kufizuara”, ka thënë kryetari në këtë ngjarje.
Ai ka thënë se bashkë me donatorët e ndryshëm dhe me shpirtin solidar e human të gjilanasve sot janë 330 familje që do ta kenë më lehtë një muaj.
“Gjithashtu, në këtë aksion do të jenë përfitues 50 fëmijë me tabletë të dhuruar nga Lazim Destani dhe Ekolog-ut dhe sigurisht është më lehtë, mirëpo të jemi së bashku dhe t’i bëjmë të lehtë 12 muaj, sepse mundemi së bashku dhe t’i bëjmë njerëzit të barabartë në jetë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Në fjalën e tij, Fatmir Shurdhani, drejtor i Handikos në Gjilan, ka thënë se fal angazhimit kryetarit Haziri dhe shumë institucioneve, sot po mbështetet kategoria e cila jeton me kushte të vështira, duke falënderuar kështu për kontributin të gjithë donatorët që sot kanë gëzuar numër të konsiderueshëm të familjeve.
Fadil Rrahmani, bartës të këtij aksioni dhe Shpëtim Miftari nga Rotary Club Gjilani, kanë thënë se në këtë kohë pandemie në vazhdimësi janë marrë me aksione të ndryshme në dobi të përgjithshme, mirëpo sot është aksion i veçantë, sepse përfshirja është e tillë, mirëpo me një dimension krejt tjetër.
Nga ana e tij Dren Rexha, përfaqësues i UNICEF, në fjalën e tij ka potencuar mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e Komunës së Gjilanit, derisa ka drejtuar një kërkesë për përkrahje më të madhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, për personat me aftësi të kufizuara.
Afrim Maliqi, drejtor i Handikos në nivel të Kosovës, ka potencuar se bazuar në të dhënat dhe statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 15 për qind e popullsisë mund të jenë persona me aftësi të kufizuara, prandaj edhe duhet një mbështetje më e madhe në të gjitha nivelet, e veçanërisht në këtë periudhë të përballjes me pandeminë, kur ky kujdes duhet të jetë më i madh.