Në ditën e 73-të prej kur janë raportuar rastet e para me COVID-19 në Kosovë, nuk pati asnjë rast pozitiv. Ndërkohë u shëruan katër persona të cilët kishin qenë të infektuar me koronavirus. Infektologu Valbon Krasniqi në një lidhje direkte për Gazetën Express tha se kjo është ecuri normale e pandemisë
Krasniqi tha se asnjë pandemi nuk përfundon menjëherë. Ai bëri të ditur se në ditët në vijim mund të presim raste të reja me COVID-19, por sipas tij, po shkojmë drejt fundit të pandemisë.
“Për herë të parë që nga 13 marsi, në ditën e 73-të nuk kishim asnjë rast të konfirmuar me COVID-19. E kemi pritur ne si infektologë, ka më shumë se tri javë kur kemi numër të vogël të rasteve, mendojmë se është një ecuri normale e pandemisë, asnjë pandemi nuk do të përfundojë menjëherë, por do të kemi herë pas here numër të rasteve. Ne mendojmë se po shkojmë drejt fundit të pandemisë”, tha Krasniqi.
“Nuk duhet të befasohemi nëse edhe në ditët në vijim mund të kemi raste të reja pozitive sepse është e pritshme dhe normale për pandemitë që kanë karakter të tillë. Situata është e menaxhueshme, vetëm me kapacitetet e Klinikës Infektive kemi arritur t’i trajtojmë të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë të shtrihen në klinikë”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi theksoi se sipas ecurisë së deritanishme me koronavirus, mund të thuhet se Kosova po shkon drejt ditëve të fundit të virusit.
“Është e vështirë të themi saktë se kur do ta shpallim përfundimisht të mbyllur pandeminë, për këtë është kompetent IKSHPK, por në bazë të ëksaj ecurie jemi pranë këtyre ditëve”, deklaroi Krasniqi.