Gjilan, 29 maj 2020 – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në konferencën me gazetarë pas takimit me Komitetin për menaxhimin e ermergjencave, ka thënë se gjendja është e qetë dhe po shkon drejtë normalizimit të plotë, fal përkushtimit të qytetarëve, të cilët kanë respektuar rekomandimet e shtetit.
“Sot në takimin e përbashkët kemi vlerësuar gjendjen e qetë dhe drejtë normalizimit. Kjo është bërë e mundur me përkushtimin maksimal të qytetarëve të Gjilanit dhe njëkohësisht me kujdestarinë e vazhdueshme të të gjitha institucioneve në nivelin lokal dhe regjional që këtë luftë me të panjohurën ta fitojmë së bashku. Edhe më tutje i kemi 27 raste aktive në Gjilan, mirëpo me shëndet të mirë dhe me simptoma të lehta, që janë duke e respektuar rregullin e vetizolimit”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai ka bërë të ditur se xhamitë e Gjilanit janë dezinfektuar me qëllimin që xhemati të jetë i sigurtë në kryerjen e riteve fetare.
“Rihapja e xhamive është lajm shumë i mirë për neve dhe për te gjithe besimtarët”, ka shtuar Ismajli.
Ndërsa, në fjalën e tij, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka thënë se në bazë të rekomandimeve dhe vlerësimeve që kanë dhënë ekspertët nga dita e djeshme janë hapur xhamitë dhe është një lajm shumë i gëzueshëm.
“Nga Komuna e Gjilanit është bërë dezinfektimi i të gjitha xhamive dhe njëkohësisht nga shtabi emergjent i Gjilanit është furnizuar me material mbrojtës. Ne tashmë jemi në koordinim të plotë me imamët dhe me të gjithë nëpunësit që gjithçka do të shkojë mirë deri në kthimin e normalitetit të plotë. Sot do të falet normalisht namazi i xhumasë, duke respektuar rregullat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore”, ka thënë kryetari Aliu.
Ndërsa, në adresimin para mediave, komandanti i Stacionit të Policisë, Alban Ramushi, ka konfirmuar gjendjen e qetë dhe stabile në aspektin e sigurisë dhe patrullime të shtuara në kuadër të mbikëqçyrjes dhe kontrollit edhe te personat e infektuar, të izoluar dhe kontrollimin e hyrje daljeve në Gjilan.