Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e quan të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi. Vendimin për dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re, ajo e ka quajtur politik, ndërkohë që sipas saj Kushtetuesja nuk ka interpretuar por shkruar në një linjë me Thaçin.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci të premten tha se me vendimin e djeshëm të Kushtetueses është rrëzuar Kushtetuta, si akti më i lartë juridik.
“Për fat të keq ky vendim më shumë se një vendim që do të pritej të ishte me argumente të qarta juridike, ngjan në një vendim politik. Dhe pas shkeljes së kushtetutës nga ana e presidentit me dekretin e tij, faktikisht kemi edhe një tejkalim të kompetencës së Gjykatës Kushtetuese. Të cilët në vend se të interpretonin kushtetutën morën rolin e shkrimit të kushtetutës. Për Lëvizjen Vetëvendosje një vendim i tillë si subjekt politik është i papranueshëm sepse është një vendim që faktikisht e rrëzon edhe kushtetutën tonë aktin më të lartë juridik. Dhe duket si një vendim i shkruar në një linjë me deklaratat e presidentit Thaçi në komentet e tij. Dhe e humb tërësisht kuptimin e zgjedhjeve të lira në vendin tonë”, ka deklaruar Nagavci.
Për këtë Nagavci tha se Lëvizja Vetëvendosje do të shfrytëzojë të gjitha mjetet politike përmes rrugës demokratike, siç tha ajo, për të qenë bashkë me qytetarët. Sipas saj, këta të fundit duhet t’i japin legjitimitet institucioneve të vendit.
Duke përmendur protestën e cila është thirrur me datën 5 qershor, Nagavci tha se LVV nuk ka marrë ende një vendim të tillë.
“Nuk është se Lëvizja ka marrë një vendim të tillë, ne do të bëjmë më kohë të ditur dhe publike qëndrimin tonë dhe kërkesat tona. Pra, ne nuk kemi paraqitur akoma se kur planifikojmë të organizojmë një protestë. Dhe ashtu siç e thash ne jemi të interesuar t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet politike dhe demokratike që kemi në dispozicion. Sa i përket dhunës besoj që gjithë qytetarët e kanë përcjellë gjatë kësaj kohe, gjuha e presidentit Thaçi ka qenë jashtë çdo mandati të tij si president dhe rolit të tij unifikues, ka qenë një gjuhë përçarëse dhe ngjall pakënaqësi dhe urrejtje. Një gjuhë të tillë e kemi parë edhe nga krerët e subjekteve të tjera, gjegjësisht nga kryetari i AAK-së. LVV ka qenë gjithmonë e hapur, e qartë dhe transparente në qëndrimet e saj. Do të jemi të kujdesshëm që të bashkë me qytetarët të vendosim për institucionet”, theksoi ajo.
Ndër të tjera, ajo ka bërë të ditur se për vendimin e djeshëm do të kërkojnë edhe një opinion nga Komisioni i Venecias.
“ Besoj që këshilltarët e z.Kurtit, këshilltarët ligjorë do të kërkojnë një opinion edhe nga Komisioni i Venecias dhe për aspektin juridik në presim që të kemi aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe presim që adresimi ynë të jetë plotësisht tek Komisioni i Venedikut. Sepse ashtu siç e kemi parë nga Gjykata Kushtetuese kemi parë se ata kanë dërguar pyetje të cilat në fakt kanë qenë orientuese”, tha ajo.
Pas vendimit të mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se seanca për votimin e qeverisë duhet të mbahet deri të hënën.