UNDP ka publikuar sot sondazhin raportit “Pulsi Publik” mbi aspektin e kënaqshmërisë së qytetarëve të Kosovës që kanë për punën e liderëve politik të vendit.
Ky raport, kësaj radhe, si pasojë e pandemisë, është realizuar përmes intervistave telefonike me gjithsej 1306 qytetarë.
Në raport prin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ku niveli i kënqashmërisë së qytetarëve me punën e saj është 72.4%, pasuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti me 65.4%
Më poshtë ju sjellim raportin e publikuar nga UNDP:
Në vijim disa nga gjetjet kyçe nga përmbledhja e fundit e Pulsit Publik:
Nivelet e kënaqshmërisë me punën e institucioneve kyçe ekzekutive dhe legjislative në Kosovë janë më të lartat të regjistruara nga anketat e Pulsit Publik që nga viti 2010. Kënaqshmëria e regjistruar me punën e ekzekutivit është 60.7%, që përbën një rritje prej 46.3 pikë përqindje nga anketa e nëntorit 2019 kur ishte 14.4%.
Niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4%, kurse me punën e Kryetares së Kuvendit të Kosovës ka arritur vlerën rekord prej 72.4% kundrejt 20.7% dhe 20.5% të regjistruar në nëntor 2019 dhe maj 2019.
Përkundër rritjes së niveleve të kënaqshmërisë me institucionet kyçe, ka rritje të pakënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës. Më shumë se gjysma e të anketuarve (62.8%) janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.
Anketa e opinionit tëka regjistruar një rritje të Indeksit të Demokratizimit (ID) që aktualisht është 1.53, që përbën nivelin më të lartë të regjistruar nga Pulsi Publik që nga viti 2010.
Mund të vërehet një rënie në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE), që ka rënë nga 1.05 në 0.98, duke sugjeruar se më shumë se dy të tretat e kosovarëve janë të brengosur me zhvillimet ekonomike në Kosovë
Perceptimet lidhur me problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen Kosovarët vazhdojnë të jenë të njejtat: për 37.2% të të anketuarve është papunësia, e ndjekur nga korrupsioni (23.5%) dhe varfëria (15.3%).
Ngjashëm me anketat e tjera në të kaluarën, gjetjet tregojnë se shumica e të anketuarve (52.7%) i kanë formuar perceptimet e tyre për praninë e korrupsionit në shkallë të gjerë nga mediat.
Kjo anketë nxjerr në pah ndjenjën e fuqizimit të qytetarëve përballë politikës në Kosovë. Në pyetjen nëse vota e tyre mund ta ndryshojë situatën në Kosovë, një numër shumë i madh i të anketuarve (46.7%) deklaruan se vota e tyre mund të sjellë ndryshime. Gjetjet gjithashtu tregojnë se 70.2% e të anketuarve do të votonin për një parti të caktuar politike ose një koalicion, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin në të ardhmen e afërt.
Të anketuarit e PP 18 u pyetën edhe për njohuritë e tyre në lidhje me të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër. Gjithsej 19.5% thanë se dinë shumë për këtë temë, 36.8% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 36.9% e të anketuarve thënë se pak dinë për këtë temë.
41% e të anketuarve thanë se kanë zvogëluar shpenzimet, ndërsa 15.3% huazuan para dhe 14.1% vazhduan të punojnë për të përballuar krizën pandemike.
Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se COVID-19 ka ndikuar negativisht në mirëqenien ekonomike të të gjitha komuniteteve etnike: 65.7% e shqiptarëve dhe serbëve dhe 74.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës raportuan ndikim negativ të COVID-19 në mirëqenien e tyre ekonomike.
Shumica e të anketuarve nga të gjitha komunitetet etnike raportuan ndikim negativ të COVID-19 në shëndetin e tyre mendor: 59.2% e shqiptarëve të Kosovës, 65.2% e serbëve të Kosovës dhe 64.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës.
Shumica e të anketuarve (78.8%) u deklaruan të kënaqur me reagimin e institucioneve publike ndaj krizës së shkaktuar nga shpërthimi i COVID-19.