Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta mbajë sot mbledhjen e Kryesisë, të cilën e paralajmëroi gjatë ditës së stome. Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Besian Mustafa, tha për Express se Kryesia mblidhet pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese
“Mbledhjes së Kryesisë i paraprin publikimi i aktvendimit nga Gjykata Kushtetuese. Sot nuk ka takim, tentativisht Gjykata do ta shpall vendimin nesër, edhe ne mbledhjen do ta mbajmë pas publikimit, nëse shtyhet publikimi do ta shtyejmë edhe ne”, ka thënë Mustafa për Express.
A “E propozon sot z.Hoti, i nominuar për KM, një listë iniciale të kabinetit qeveritar nga LDK, pastaj vendosë Kryesia”, ka deklaruar Mustafa.
I pari i LDK’së ka shtuar se derisa Kryesia e LDK’së të marrë vendimin, asnjë emër i përmendur deri më tani për pjesë të kabinetit qeveritar, nuk është definitiv.
“Pa vendosë Kryesia e LDK-së, s’ka asnjë emër definitiv, përpos z. Hoti, për të cilin është vendosur më herët”, ka thënë Mustafa
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.
Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.
Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.
Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.