Në seancën e sotme të kuvendit komunal të Gjilanit, ku ndër tjerash u diskutua edhe për raportin e punës së kryetarit të komunës për periudhën janar-dhjetor 2019, fjalën e tij e edhe Nevzad Isufi, shef i grupit të anëtarëve të KK-së nga Vetëvendosjes.
Bazuar në këtë raport, dhe duke iu referuar atë se çfarë kishte thënë kryetari, shembull për projektinn e ujërave të zeza, Isufi tha se premtimet dhe projektet e kryetarit janë veçse në letër e që në praktikë nuk i kemi ato. Shumica e raportit është kopje apo përshkrim i raportit të viteve paraprake dhe përshkrime të kompetencave të drejtorive.
Kritikat e Isufit të Vetëvendosjes janë fokusuar në dy drejtori, në atë të arsimit dhe të urbanizmit si dhe në departamentin e prokurimit. Ai tha se përqindja më e madhe e raporteve të drejtorive në këtë raport të kryetarit, për këtë periudhë, janë përshkrime dhe pjesa tjetër flet për kompetenca të drejtorive për çka ai tha se përgjegjësi mban edhe kryetari, që ka lejuar në raportin e tij të përfshihet kjo.
Në raportin e drejtorisë së arsimit si në shumicën e raporteve të drejtorive do të duhej eliminuar përshkrimin e kompetencave, do të duhej përqendruar në atë çfarë është arritur apo s’është arritur. “Më duhet të them që kjo drejtori në fillim të raportit ka përmendur një numër të madh objektivash, por që në faqen e komunës nuk ka ndonjë të dhënë, ku ne por edhe qytetarët, mund të shohim se çka planifikon kjo drejtori të punoj gjatë një viti kalendarik por edhe vitit shkollor, pra, do të duhej bërë publik një plan pune të kësaj drejtorie në faqen e internetit, ku publikohen edhe raportet, planet e punës së komunës, kuvendit, drejtorive etj”, ka thënë Isufi.
Se raportet po përsëriten nga viti në vit, Isufi mori si shembull, aty ku flitet për furnizimin e shkollave me kamera dhe dokumentacione të ndryshme, shumica e shënimeve ku flitet për donacionet janë të njëjta me ato të raportit vjetor të punës të vitit 2018.
Po ashtu dhe plotë furnizime të tjera, me material didaktik, banka e karrige, kompjuterë, realizim të projekteve tjera…, të gjitha këto janë përmendur edhe në raportin e vitit 2018.
Po ashtu Isufi vërejtje pat edhe për mungesë të informacioneve, të dhënave në raport për shkollat ku mësohet në gjuhën serbe, turke e rome. “Në këtë raport nuk flitet për mos realizimin dhe arsyet ku dhe pse ka ngecur projekti i kompleksit të shkollave të mesme, ndërsa të gjithë e dimë se ai nuk ka përfunduar. Pra, asnjë fjalë për këtë, që tregon se kemi mungesë të transparencës”, thotë Isufi, për të përmendur edhe defekte tjera të raportit, pjesa e arsimit.
Nevzad Isufi i Vetëvendosjes, vërejtjet e tija i pati edhe për Drejtorinë për urbanizëm, planifikim dhe mbrojtje të mjedisit. “Në pjesën hyrëse si gjithmonë edhe te kjo drejtori kemi një tekst në formë formule që lidhet me kompetencat e kësaj drejtorie. Të re nga kjo drejtori informata për fazën përfundimtare të hartës zonale dhe mënyra është arritur kjo. Një informatë interesante paraqet sipas kësaj drejtorie trendi i ndërtimeve së territorit të ndërtimit të komunës sonë dhe kapaciteteve të saj për të arritur në 240 mijë banorë. Por edhe informata për fillimin e legalizimeve të objekteve, besoj se duhet kuptuar këtu objekteve pa leje, por që nuk jepet asnjë shifër as e këtyre objekteve sa janë dhe as janë legalizuar. Në faqen 58, te sektori i planifikimeve pjesa më madhe është e njëjtë me atë të vitit të kaluar, me ndonjë modifikim të vogël”, ka thënë Isufi, për të dhënë edhe vërejtje konkrete.
Sa i përket kësaj drejtorie, ai ka përfunduar me pyetjen se si është e mundur që në një raport të një drejtorie të kemi raport të tillë ku 80% e përmbajtjes është përshkrim i raportit të një viti paraprak dhe pjesa tjetër plan i punës dhe kompetenca të kësaj drejtorie. “Edhe kjo është përgjegjësi e kryetarit që lejon një gjë të tillë në raportin e tij, të përgatitur nga drejtorët e qeverisë së tij”.
E, kur jemi te departamenti i prokurimit, Isufi i Vetëvendosjes tha se është ky njëri ndër departamentet me të rëndësishëm, sepse nëpër të kalon pjesa më e madhe e buxhetit. Por, ky departament deri më të tash në këto dy mandate të qeverisjes së LDK-ës asnjëherë nuk ka sjellë ndonjë plan të prokurimit në Kuvend, siç parashihet le ligjin për qeverisjen lokale, gjë që paraqet shkelje ligjore, e për të cilën ekzekutivi si gjithmonë vetëm heshtë.
Sipas asaj që është paraqitur në këtë raport nga ky departament, për vitin 2019 janë nënshkrua gjithsejtë 37 kontrata në vlerë prej 15,259,568.65€, ndërsa sipas planit ishin paraparë 35 kontrata në vlerë 6.164,327.44€, që nënkupton se ka nënshkruar kontrata 2 mbi planin vlera e kontratave ka qenë 9,095,241,206€ mbi vlerën e parashikuar e që do të thotë se planifikimi ka qenë tepër i dobët. Pra, dallimi ndërmjet parashikimit dhe realizimit është 150% .
Kështu sipas planit të prokurimit janë planifikuar 41 kontrata për furnizim në vlerë 1.542,442.90€, ndërsa janë nënshkruar 38 kontrata, d.m.th. 3 më pak në vlerë 1.609,104.65€,apo 66,661.75€ mbi atë të planifikuarën.
Kontrata shërbimi sipas planit të prokurimit janë paraparë 35, në vlerë 1.350,327.44€, ndërsa janë nënshkruar 35 kontrata shërbimi në vlerë 2.753,716.50€, ose 1.403,389.06, ose mbi 100% më tepër.
“Pra, në tërësi prej 111 kontratave të planifikuara për vitin 2019 vlerë 9.247,174.84€, janë nënshkruar 100 kontrata në vlerë 19,935,710.24€ ose 10,688,535.4€, ose mbi 100% mbi të parashikuarat. Me çka mund të konstatohet se ky departament i ka huqur në të gjitha aspektet e planifikimet, ose ka bërë planifikime koti, sepse siç edhe mund të shihni planifikimi dhe realizimi janë në antagonizëm të plotë”, ka thënë Nevzad Isufi, shef i grupit të anëtarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Gjilanit.