Kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së Uran Ismaili i cili e akuzoi se nuk e ka të verifikuar deklaratën që ajo e dha paraprakisht për donacionet që Kosova ka pranuar nga viti 2016 për pajisje mjekësore nga Serbia, bazuar në letrën që e ka pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.
“Është e çuditshme se si ju akuzoni për fjalë që unë fare nuk i thashë. Për të qenë në krye të detyrës nëse mua më vjen një letër zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, shërbyes civil që ka shërbyer edhe gjatë mandatit tuaj edhe gjatë këtij mandati, unë e kam për detyrë që t’iu njoftoj juve si deputetë për atë letër”.
Osmani ka thënë se nuk i arsyeton donacionet e marra nga Serbia, por ka insistuar se ajo nuk ka mbajtur qëndrim politik, por vetëm ka njoftuar për letrën që e ka pranuar në cilësinë e Kryetares së Kuvendit.
“Në asnjë moment nuk e arsyetoj mënyrën se si kanë hyrë, sepse nuk e di se si kanë hyrë – kjo është punë e Komisionit Hetimor. Unë asnjë konstatim nuk e dhashë lidhur me atë se si kanë hyrë, dhe aq më pak ndonjë arsyetim”.
“Për mua donacioni nga Serbia nuk ka asnjë arsyetim as në 2016, 2017, 2018, 2019 dhe as në vitin 2020. Unë nuk e dhashë këtë qëndrim politik, por ju informova se kjo letër më ka ardhë nga Ministria e Shëndetësisë – jo nga persona politikë, por nga sekretari permanent. Këtë letër ashtu siç jam njoftuar unë si kryetare e Kuvendit do ta keni edhe ju të gjithë si deputetë, sepse unë vlerësoj se është në interes të Komisionit Hetimor ta ketë këtë informatë”.