Tre muaj pas mbylljes së institucioneve arsimore për shkak të pandemisë COVID-19, nxënësit e klasave të nënta të hënën pritet të kthehen në bankat shkollore. Ata do të mbajnë mësim plotësues dy javë, apo deri më 19 qershor, për t’u përgatitur për Testin e arritshmërisë.
Më 23 qershor, 26.261 nxënës të klasave të nënta do t’i nënshtrohen këtij testi, derisa rezultatet do të shpallen më datën 30 të këtij muaji.
“Shkollat e përshtatin mësimin plotësues varësisht nga orari i mësimit në distancë”, thuhet në kalendarin për përfundimin e vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19, që e ka hartuar ditë më parë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Kjo ministri, ditë më parë, ka nxjerrë një udhëzim i cili përcakton se shkollat në të cilat do të mbahet testi duhet të jenë të dezinfektuara, derisa nxënësit dhe i gjithë stafi janë të detyruar të mbajnë dorëza e maska dhe të respektojnë distancën deri në 2 metra.
Në klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës, të cilët do të ndahen në 3 rreshta. Përveç nxënësve të klasave të nënta, nga data 15 qershor do të kthehen në shkollë për dy javë edhe nxënësit e klasave të dymbëdhjeta. Kjo pasi Testi i maturës do të mbahet më 4 korrik dhe të njëjti pritet t’i nën shtrohen 25.837 nxënës. Aplikimi për regjistrim në shkollën e mesme do të bëhet nga data 1 deri më 3 korrik. Në dokumentin e MASHTI-t thuhet se për ta ruajtur distancën fizike rezultatet do të shpallen në disa vende te shkollat, si dhe në ueb-faqen e komunave, raporton KOHA.
Në kalendarin e hartuar nga MASHTI janë dhënë informacione edhe për nivelet e tjera. Aty është paraparë që institucionet parashkollore 0-6 vjeç ta përfundojnë vitin më 1 korrik. Ndërkaq, regjistrimi i fëmijëve në këto institucione do të bëhet nga data 22 qershor deri më 4 korrik.
“Platforma online ‘Edukimi në Distancë’ do të vazhdojë të jetë aktive edhe pas përfundimit gjendjes së emergjencës për prindërit/kujdestarët ligjorë të fëmijëve 0-6 vjeç, të cilët nuk e vijojnë edukimin e hershëm IPSH / në shkollë”, thuhet në dokumentin e MASHTI-t.
Klasat 9, 10 dhe 11 e përfundojnë vitin shkollor më 12 qershor, ndërkaq klasat 0 (parafillore), 1 e deri në 8, më 26 qershor. “Shkollat kryejnë përgatitjet për përfundim të vitit shkollor dhe me prani të mësimdhënësve për punët administrative. Një javë para përfundimit, shkollat dezinfektohen dhe përgatiten klasat për punë individuale e punë në grupe të vogla”, thuhet në kalendarin e MASHTI-t.