Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha sot se në kuadër të zbatimit të planit të punës së Qeverisë prioritet kryesor mbetet luftimi i pandemisë Covid-19, krahas objektivave të tjera, dhe në funksion të këtij qëllimi, ai kërkoi nga institucionet që të vazhdojnë me aktivitete intensive në menaxhimin e situatës, në një kohë kur në shumë shtete përreth, por edhe në Kosovë, po regjistrohen raste të reja të infeksionit nga Covid-19 dhe ka numër të konsideruar të rasteve aktive.
Me qëllim të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant me institucionet përgjegjëse qeveritare për të vlerësuar situatën epidemiologjike me Covid-19, Ministri kryesoi një takim të Komitetit për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ku përveç raportimit nga të gjitha institucionet, u kërkuar që të vazhdohet me zbatimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit të Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj Covid -19, duke adaptuar një qasje të përshtatshme për rrethanat. “Sot jemi në një situatë tjetër, atë të zbatimit të fazës së tretë të hapjes graduale ekonomike, e cila kërkon rivlerësimin edhe të disa veprimtarive të cilat presin për t’u liruar. Kjo fazë, siç edhe është vërejtur, bart në vete rrezikun e përhapjes së mëtejme të virusit, pas një periudhe relativisht pozitive kur rastet me COVID-19 kishin rënë pothuajse në nivelin më të ulët”, tha Ministri Zemaj.
Ai theksoi se rënie e disiplinës në zbatimin e masave në tre ditë e fundit është përkthyer në 105 raste të reja të COVID-19 në Kosovë, dhe kjo kërkon nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse për zbatimin e masave të Qeverisë (Policia e Kosovës dhe inspektoratet qendrore dhe komunale) që të jenë sa më të pranishme me inspektime në veprimtaritë e lejuara.
Duke theksuar faktin se MSh është në proces të përgatitjes së Manualit me udhëzime për veprimtaritë e lejuara, ai tha se rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat, klubet e natës, etj., duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikator matës ku kontributin kryesor duhet ta jap IKSHPK, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike.
“Është shumë e rëndësishme që të mos e lëmë asnjë mekanizëm pa e aktivizuara në funksion të menaxhimit të pandemisë, ushtrimi i përgjegjësive të plotë bazuar në ligje, IKSHPK e MASHT të bëjnë vlerësimin dy-javor të aktiviteteve të lejuara në fushën e edukimit dhe shkollimit në gjitha nivelet dhe vendimet të merren në koordinim të plotë e të gjitha institucionet, bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së.
Këshilltari për shëndetësi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, Visar Berisha tha se Zyra e kryeministrit të Kosovës u i jep mbështetje të plotë Komitetit që të vazhdojë me aktivitetet e tij, derisa do ta fuqizojë atë edhe përmes trupave këshillëdhënëse, kurse përmes programit qeverisës është paraparë edhe përkrahja me resurse humane e monitorimit të zbatimit të manualit për veprimtaritë e liruara në kuadër të hapjes ekonomike dhe ato që do të hapen.
Në këtë takim, përfaqësuesit e Komitetit kanë raportuar për aktivitetet e ndërmarra në nivel të institucioneve dhe mekanizmave që përfaqësojnë, derisa kërkohet që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masa mbrojtëse si bartja e maskave, distancimi fizik dhe mirëmbajtja e higjienës personale e kolektive.