Komuna e Kamenicës është pajtuar në parim për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit që dega e “Shkollës së Muzikës” në Gjilan të hapet dhe të funksionojë në Kamenicë.
U.d Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi kanë pritur në takim Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe Drejtorin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi.
Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati tha se është i lumtur që nxënësit të cilët dëshirojnë të ndjekin shkollën e muzikës së shpejti do ta kenë këtë mundësi ta bëjnë edhe në Kamenicë.
“Nga shtatori do hapet dega e Shkollës së Muzikës në komunën tonë dhe të gjithë nxënësit nga Kamenica mësimin do e vijojnë këtu. Pos kësaj, regjistrimet e reja të nxënësve në drejtimin për muzikë do të bëhen në degën që do të hapet në Kamenicë. I lumtur që nxënësve tanë po u ofrojmë mundësi të tilla duke marrë parasysh shpenzimet e secilës familje për t’i dërguar fëmijët në Gjilan”, tha Kastrati.
U.d e DKA-së Mirhane Morina-Bislimi tha se pasi të nënshkruhet ky memorandum bashkëpunimi, nxënësit e Kamenicës nga shtatori do të mund të ndjekin mësimet e muzikës në Kamenicë
“Ky memorandum bashkëpunimi për shkak të specifikave ekonomike-sociale do t’i mundësojë nxënësve të komunës tonë të ndjekin mësimet në shkollën e muzikës më afër. Kjo është një gjë e mirë për ne sepse po punohet për të ardhmen e të rinjëve tanë”, tha ajo.
Kurse drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Arianit Ibrahimi tha se me hapjen e kësaj talenti i nxënësve për muzikë do të zhvillohet më shumë.
“Ndër sektorët e ndryshëm që kemi në komunën tonë, arti ka marr zhvillim të hovshëm. Tani edhe me hapjen e kësaj shkolle nxënësit e komunës sonë do ta kenë mundësinë që talentin e tyre për muzikë të mos e lënë anash”, ka thënë ai.